Berisha: Trishtimi i kësaj vogëlusheje flet për shpirtin e zi të Ramës

Për herë të parë në Shqipëri dje u mbajt një protestë e pazakontë përpara kryeministrisë nga protestues që i përkisnin një grupmoshe që ishte herët për të qënë e revoltuar me pushtetin: Fëmijë të moshës 2 deri në 6 vjeç me prindërit e tyre i bënin thirrje kreut të qeverisë t’ua rihapte kopshtin jopublik “Zübeyde Hanım”, një nga institucionet më të mira arsimore të vendit, pjesë e kolegjit "Turgut Ozal" dhe e fondacionit Gylistan me eksperiencë 25-vjeçare në vendin tonë.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka publikuar sot një sekuencë të asaj dhimbjeje prindërish dhe fëmijësh që u shpalos në shkallët e godinës së qeverisë.

“Trishtimi në sytë e kësaj vogëlushje, që i mbylli kopshtin, flet sa vëllime për shpirtin e zi të Edi Ramës!”, shkroi Berisha në Fb, duke e akuzuar kreun e qeverisë për të disatën herë për mungesën e ndjeshmërisë dhe po ashtu, nënshtrim.

Dje, për këtë revoltë, kryetari i PD-së vërejti: "Edi Rama, me urdhër të Sulltanit, u mbylli kopshtin, ju thërmoi ëndërrat! Për herë të parë, fëmijët 4-5 vjeçarë në protestë, 'bëjnë mësim' para Kryeministrisë".

Sikurse tashmë është bërë publike, por jo pranuar nga qeveria shqiptare, institucionet arsimore jopublike të Turgut Ozal në Shqipëri, janë mbyllur me kërkesë të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, për të goditur kundërshtarin e tij politik.

Presioni ka nisur prej vitesh. Që në vitin 2017, media shtetërore turke njoftonte: "Organizata terroriste FETO u përpoq ta mashtrojë opinionin duke ia transferuar kolegjin "Turgut Özal" në Shqipëri, kompanisë "BF Cooperatief U.A", e cila gjithashtu njihet për afërsinë me FETO-n në Holandë. Shqipëria është në krye të vendeve të Ballkanit ku FETO është aktive. Organizata, e cila aktivitetet në Shqipëri i filloi në vitin 1993 me themelimin e Fondacionit Gylistan që njihet për afërsinë ideologjike me kreun e FETO-s, Fetullah Gylen, në këtë vend menaxhon institucione arsimore. - Shkollat fillore dhe të mesme "Mehmet Akif" dhe "Turgut Özal" në kryeqytetin Tiranë, "Hasan Riza Pasha" në Shkodër dhe "Turgut Özal" në Durrës, si dhe Memorial International School në Tiranë, shquhen si institucione arsimore që njihen për afërsinë me organizatën."