Rama zbythet nga rritja e çmimit: Fasha 800 KWH nuk hyn në fuqi

Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar se fasha prej 800 KWH për konsumatorët familjarë nuk do të hyjë në fuqi në tetor.

Ai ka nisur zbythjen nga rritja e jashtëzakonshme e çmimit të energjisë elektrike.

"Burimet tona energjitike varen nga reshjet. Sistemi ynë energjitik me hidrocentrael plot e përplot plotëson 75% të nevojave tona për energji. Ne po ecim sipas planit për të plotësuar nevojat 100% të vendi. Por hë për hë nuk i plotësojmë dot të gjitha nevojat dhe do të vazhdojmë të dalim në tregun ndërkombëtar aty ku goditen të gjitha vendet e Evropës nga çmimet e larta. Unë dhe qeveria jemi këtu për të mbrojtur çmimin dhe për të mos lënë asgjë pa bërë, që barra faktike dhe psikologjike e kësaj lufte dhe inflacionit që ka sjellë të lehtësohet sa më shumë".

"Jam këtu për t’ju thënë që kam një lajm pozitiv. Ditët e fundit kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë dhe presim që të materializohen parashikimet për reshje të tjera. Në këto kushte, bazuar në një analizë të detajuar si dhe angazhimin e plotë për të shfrytëzuar çdo mundësi që krijohet, ne vendosëm që aplikimi i fashës 800 KWH të mos hyjë në fuqi në muajin tetor," tha Rama.

"Më 1 shtator kur vendosëm fashën, kërkesa për energji nga KESH-i ishte rreth 17 mijë, sot është 11 mijë kilovat/orë. Kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë se sa ç’është sot dhe në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperatuve dhe rol të rëndësishëm ka fillimi i një qasje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë. Ditët e fundit kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë dhe presim rrjeshje të tjera në fund të 10-ditëshit të parë të tetorit. Bazuar në këto kushte, ne vendosëm që kalimi i fashës 800 kilovat të mos hyjë në fuqi në muajin tetor. Ndërkohë të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm që ta kursejnë sa më shumë energjinë”.