Reforma e dështuar/ Gazeta gjermane: Gjyqësori i la Edi Ramës dorë të lirë

Një shkrim i gazetës gjermane, Die Welt po bën xhiron e medieve në Shqipëri.

Gazeta e njohur ngre pikëpyetjen se si mund të integrohet Shqipëria në BE, kur ka probleme kaq të thella me korrupsionin, lirinë e medias dhe gjyqësorin.

Që në fillim, gazetarja Mandoline Rutkowski shkruan se disa ‘masa madje kanë çuar në rezultate absurde’.

Këtu ajo i referohet reformës në drejtësi, e cila vazhdon që të marrë superlativa nga ndërkombëtarët, por realiteti sipas ekspertëve në vend është ndryshe.

“Në fakt, qeveria ka bërë përpjekje për të vënën nën kontroll korrupsionin në vend. Në vitin 2016, me nxitjen e BE-së, ajo miratoi një reformë gjyqësore që përfshinte rishikim intensiv të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve për sa i përket kompetencave profesionale, pasurisë dhe integritetit.

Sipas të dhënave të “Raportit për Shqipërinë 2021”, të Komisionit të BE-së, 62 përqind e procedurave të rishikimit kanë përfunduar me largim nga detyra ose shkarkim. Reforma u vlerësua pozitivisht në Bruksel dhe ambasadorja e BE-së, Hohman gjithashtu e quajti procedurën e vetingut një ‘masë të suksesshme’, e cila nuk është parë kurrë më parë në rajon.

Por ekspertja e korrupsionit, Aranita Brahaj nuk është dakord. Kontrollet ishin ‘me qëllime të mira, por të planifikuara keq’: Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese nuk kishin staf të plotë për vite me radhë dhe de facto nuk ishin në gjendje të vepronin. Një gjyqësor me të meta ka lejuar qeverinë të miratojë ‘ligje të korruptuara’,” shkruan gazeta.

“Në fakt, korrupsioni është një plagë në Shqipëri, e cila është shumë e vështirë për t’u shëruar. Vendi renditet i 110-ti nga 180 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të ‘Transparency International’. Aranita Brahaj, drejtuese e Institutit Shqiptar të Shkencës/Open Data Albania, e di se sa serioz është problemi.

“Korrupsioni është një problem i jashtëzakonshëm në Shqipëri,” thotë ekspertja e analizës së të dhënave me fokus transparencën, kontrollin dhe anti-korrupsionin. “Nuk është i pranishëm vetëm në rangjet e larta, por edhe në jetën e përditshme të çdo qytetari- qoftë te vizita te mjeku apo te zgjedhja e shkollës fillore”.

Shqipëria nuk është në gjendje të ushtrojë kontroll gjyqësor, kushtetues dhe parlamentar mbi qeverinë, thotë Brahaj, pra, de facto, kryeministri Rama e ka dorën e lirë.

Lista e skandaleve rreth Ramës e vërteton këtë deklaratë. Kreu i Partisë Socialiste, i cili bëri dikur fushatë për luftën kundër korrupsionit, akuzohet për lidhje me mafian.

Skandalet po shumohen edhe në orbitën e tij të pushtetit. Së fundmi, politikani i PS-së, Alqi Bllako u arrestua në fund të muajit prill pasi thuhet se është i përfshirë në një skandal korrupsioni prej 430 milionë eurosh. Opozita e akuzon Ramën si organizatorin e aktiviteteve kriminale,” thekson gazetarja.