Satelitët merren në përdorim/ Ekspertja: 6 mln euro për 1 minutë

Ndryshe nga sa ishte menduar, Shqipëria do të marrë në shfrytëzim me përparësi dy satelitë të një kompanie amerikane.

Sipas medieve ndërkombëtare, kompania amerikane Satellogic do i japë Shqipërisë në përdorim dy satelitët e saj. Kontrata 3-vjeçare, që do i kushtojë Shqipërisë plot 6 milionë dollarë, u nënshkrua një ditë më parë.

Kryeministri Edi Rama tha se synimi do jetë kontrolli i territorit. Por ekspertja e njohur shqiptare, Mimoza Hafizi, tha se është joefikase të shpenzohen 6 milionë dollarë në këtë mënyrë.

E ftuar në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, Hafizi, teksa ka komentuar shërbimin satelitor që u prezantua ditën  e djeshme nga kryeministri Ed Rama, theksoi se sateliti do të qëndrojë mbi Shqipëri vetëm 1 minutë.

“Besoj se bëhet fjalë për satelitët e zakonshëm që hidhen në lartësinë 400 apo 500 kilometra nga toka, që quhet orbita e ulët e satelitit, dhe satelit i tillë për një orë e gjysmë do të bëjë një rrotullim të plotë të të gjithë perimetrit të trajektores ku është përcaktuar, dhe imagjinoni për një orë e gjysmë se sa do të qëndrojë sateliti mbi Shqipëri. Ai do qëndrojë vetëm 1 minutë. Është një objekt jo-efikas. Kushton 6 milionë euro, dhe 6 milionë euro nuk e di nëse i kanë kontraktuar për një vit apo edhe për vitet tjera”- theksoi ajo.