Kjo 'Amnistia', si pastrim parash vjedhur nga pushteti, jo punë 'çunash Londre'

Nga Ylli Manjani.

Kaq shumë na janë neveritur këto ambasadorët e huaj, saqë edhe tani që janë pozicionuar kundër Ramës, për amnistinë fiskale, na bëjnë automatikisht me Ramën.

Po të jetë se amnistinë nuk e duan ambasadorët, unë them më mirë të bëhet!

Amnistia e parave të shqiptarëve kriminelë duhet të jetë në radhë të parë e të fundit çështje e moralit politik të shqiptarëve.

Nëse këta të fundit janë të gatshëm që të pranojnë dyfytyrësinë e shtetit të tyre ku, nga njëra anë dënon rëndë e shumë rëndë cilindo që shkel ligjin në përpjekje për të mbajtur familjen dhe, nga ana tjetër nderon lart e shumë lart ata që krimet personale i kanë statistikë, loja ka mbaruar!

Është kaq e thjeshtë kjo punë, pavarësisht shqetësimeve fallco të ambasadorëve të huaj.

Këta të fundit që kanë kaq vite që i përkëdhelin sedrën Edi Ramës,u lutem të na kursejnë teatrin te titull "jemi të shqetësuar për Shqipërinë". Ata janë përfaqësuesit më të këqinj që vendet e tyre kanë dërguar ndonjëherë në Shqipëri. Dhe kjo nuk i bën ata hiç fare legjitim të ngrenë çështje kundër një qeverie që e mbajnë në pushtet me çdo mjet.

E përsëris, nëse kjo punë ka mbet në dorën e tyre, më mirë të bëhet ajo amnisti.

Një krim më shumë ose me pak, në listën e krimeve që shteti ynë i bën popullit të vet, nuk ka më asnjë peshë.

Dhe më në fund, jam vërtetë kurioz të shoh a ka sot kriminelë të pasur që ti besojë lekët e tij këtij shteti që të shet për hiçmosgjë?!

Amnistia mbi të gjitha është çështje besimi...

Kjo amnisti mua më ngjan si pastrim parash të vjedhura që pushteti ska ku ti çojë më... Nuk është punë "çunash Londre"....