Rama i qesëndisi, kureshtarë jemi ç’do të thonë këta të BE-së

Presim me kërshëri reagimin e fortë të Ursula Von Der Leyen, Presidentes së Komisionit Europian, pas deklaratës së Kryeministrit Rama mbi kundërshtinë e këtij të fundit ndaj BE-së. Vendet e BE-së kundërshtojnë fort nismën e amnistisë fiskale të Qeverisë Rama si rrezik serioz për reputacionin e vendit dhe dobësim të kontrollit mbi pastrimin e parave.

I pyetur për mos pranimin e BE-së, Rama qesëndisi “ju qani hallin sa do mërzitet BE-ja apo sa do mërzitet Amerika? Çfarë halli qani? Këta i kanë punët në rregull”.

Kjo është deklarata e kryeministrit që në 19 korrik mori pjesë në Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së si moment historik i çeljes së negociatave pas shtyrjeve shumëvjeçare prej mospërmbushjes së kushteve nga Shqipëria dhe mosbindjes së vendeve anëtare. Konflikti ruso-ukrainas krijoi një dinamikë të re gjeopolitike, gjë që favorizoi këtë aspiratë edhe të vetë kryeministrit Rama (në premtime).

Por nisma e amnistisë fiskale u rimor pas këtij momenti historik, duke mos konsideruar kundërshtimin ndaj saj në reagimin e Zyrës së Delegacionit të BE-së në Tiranë:

“Për shkak se rezidentët jo tatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin”.

Por Kryeministri u shkund para syve, kokëfortëve të Brukselit, pyetësorin e bërë dhe përpunuar vetë pa asnjë çertifikim shkencor të Këshillimit Kombëtar. Aty, ne, populli paskërkëshim qenë dakord në 60% me amnistinë.

Por pse e presim me kërshëri reagimin e Von Der Leyen pas qesëndisjes së kryeministrit Rama? Sepse jo vetëm Presidentja e Komisionit ndaj një fitoreje të mundshme të Melonit, por më shumë se një herë edhe Komisioneri për Drejtësinë kanë kujtuar se në rast të shkeljes së parimeve demokratike, një goditjeje ndaj shtetit të së drejtës, manovrave me buxhetin, keqpërdorimit të fondeve të unionit mund të aktivizohet ngrirja e fondeve nga BE, si në rastin e Hungarisë dhe Polonisë.

E përsërisim: Shkelje parimesh demokratike; goditje ndaj shtetit të së drejtës; manovra me buxhetin.

A kanë lidhje këto me Qeverinë Rama? Bahhh…

Meloni ende nuk ka bërë as njërën e as dy të tjerat. Dhe po i skërmisin dhëmbët pa nisur nga puna. Kryeministri ynë me vepra 9-vjeçare madje i qesëndis me një “varja atyre”. Shumë kureshtarë jemi ç’do thonë këta të BE-së e sidomos ç’do bëjnë.