Rama pasi e ‘ndriti’ në tokë: Tani do të kemi një kryeinspektorat në qiell

Kryeministri Edi rama vazhdoi sjelljen e tij prej një njeriu që jo vetëm nuk di asgjë, por edhe që nuk ka asnjë detyrim. Ai tha se sa u përket ndërtimeve pa leje, kjo nuk është detyra e tij.

Në mënyrë të çuditshme, kryeministri i nëntë viteve të fundit, tha se ndërtimet pa leje vijnë si shkak i korrupsionit në vend. Rama tha se meqë korrupsioni ka bërë namin në tokë, tani ai do të ngrejë një kryeinspektorat në qiell.

Këtu i referohej faktit të hedhjes së satelitëve në hapësirë.

“Për të gjithë ata që na kanë përqeshur për satelitët, sot lajmi është se do të kemi një kryeinspektoriat në qiell, i cili nuk ka emër të përveçëm, i cili nuk ka parti, i cili ka një sy që i sheh të gjitha. Me satelitët nuk do të ketë më mundësi që të ndërtohen kate pa leje pa u vënë re në momentin kur sapo nisin sepse satelitët kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur në sipërfaqen e tokës, me një saktësi që mblidhet në një perimetër prej 70 cm,” tha Rama.

Sipas kryeministrit, shumë shpejt, flotës tonë do t’i shtohen dhe dronët e armatosur:

“Satelitët shumë shpejt do të pasohen nga dronët, që me zhvillimet e reja kemi vendosur t’i marrim të armatosur. Janë për raste ekstreme apo të armiku potencial”.