'Trofeu' që fituam kundër Gjermanisë: TEC-et lundruese ose 236 kg dioksid karboni për çdo shqiptar!

Nga Prof. Abdulla Diku,  ekspert i mjedisit.

Pas “luftës” që fituam ndaj Gjermanisë për “kapjen” e TEC-eve lundruese që janë ankoruar tashmë në Vlorë; pas faktit të pakundërshtueshëm që kompania private dhe pronare e TEC-eve ka pranuar të humbasë lekë (sidomos tani në kohë krize) vetëm që të na ndihmojë neve, mbase si qenie superiore që duhet të jemi (por ne s’dimë gjë!) si dhe pas lobimit të ambasadores së SHBA (a të dikujt tjetër përtej oqeanit) që këto TEC-e të vijnë vetëm tek nedhe pyetjes a bëhet lobim për një kompani që nuk do të fitojë lekë, disa të dhëna për këto pajisje:

TEC-et lundruese do të djegin 600 ton naftë të rëndë në ditë ose 219 000 ton naftë/vit.

Nëse konvertojmë sasinë e naftës në dioksid karboni (CO2), atëherë shifra është 591 300 ton CO2/vit.

Kjo shifër është e barabartë me 3112 kg CO2 në vit për çdo banor të Vlorës, me 236.5 kg CO2 në vit për çdo banor të Shqipërisë, e shtuar kjo në mushkëritë tona.

Në nivel vendi, 65% më shumë CO2 nga ajo sasi që një person nxjerr gjatë frymëmarrjes për një vit ose për çdo banor të Vlorës 850% e sasisë së CO2 që një person nxjerr çdo vit.

Për ta përthithur nga atmosfera këtë sasi CO2 që çlirohet nga këto TEC-e, Shqipërisë i duhen edhe rreth 200,000 ha të tjera pyje shtesë ose një investim prej 1 miliard euro, për të mbjellë ato pyje për të kapur CO2 që del nga TEC-et lundruese.

Ndërkohë që TEC-i i Vlorës i ndërtuar në vitin 2011 dhe i paguar me 120 milionë euro nga xhepat tanë, është në letargji të plotë.

Nuk po i futemi analizës së çmimit që energjia del nga këto TEC-e, pasi dihet që është më i larti nga të gjitha burimet e tjera të energjisë që ne përdorim aktualisht.

Por, vetëm duke krahasuar çmimin e gazit natyror me atë të naftës që kemi, aktualisht mund të imagjinojmë çmimin e energjisë që TEC-i Vlorë mund të prodhonte për ne. Besoj të paktën 2 herë më lirë.

Nga ana tjetër, mjafton të thuhet që çmimi i energjisë nga nafta është së paku 10 herë më i shtrenjtë se ajo që prodhohet aktualisht nga era.

Konkluzioni?!

Ne i shpikim vetë krizat dhe kur ato nuk ekzistojnë. E sigurt është që Krijuesi nuk e ka rritur çmimin e shiut.

Ne lutemi dhe i themi me vetëdije të plotë krizës “Mirë se na vjen!”

Dhe thuaj pastaj që nuk jemi ‘nikoqirë’ me lekët dhe ‘vizionarë’ në politikat tona!!!