Meta: Rama mashtron! Nga kostot e rritura të energjisë do të preken qindra mijë familje edhe biznese!

Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë, paralajmëroi sot se shtrenjtimi i çmimit të energjisë, ndryshe nga ç’mashtron kryeministri Edi Rama, do të prekë dhjetëra mijë në mos, qindra mijë familje në vend dhe po ashtu, do të përballë edhe bizneset me rrezikun e falimentimit.

Në një konferencë shtypi fill pas një konference të Ramës, Meta e cilësoi këtë fundit si kryeministrin e dështimeve” duke filluar që nga dështimi me mossigurimin e kapaciteteve të energjisë pas dhjetë vjet qeverisjeje.

“Kryeministri 10 vitesh kërkon të shpëtojë të gjitha krizat që ndodhin kudo në botë, ndërkohë që kriza e keqqverisjes së tij vetëm thellohet çdo ditë në kurriz të qytetarëve të thjeshtë dhe të pambrojtur. Faktorët kryesorë të kësaj situate energjitike janë dështimet e qarta dhe të pafundme të qeverisë në këtë sektor - nënvizoi Meta duke renditur ndër dështimet më të mëdha, "mosgazifikimin e vendit pas ndërtimit të gazsjellësit strategjik të TAP-it, që s’ka asnjë lidhje me këtë qeveri dhe këtë Kryeminisitër", siç theksoi.

“Kryeministri i dështimeve, - vazhdoi Meta, - në këto dhjetë vite sigurisht që nuk flet për to, por përpiqet të shpikë faktorë të tjerë.

Ndërkohë punon për t’ua ngulur "thikën" e gjithë kësaj krize, që në themel ka paaftësinë, dështimet e tij, korrupsionin,  hajdutllëkun e pamatë të tij dhe të të gjithë enturazhit të tij përkatës, që ta transferojë edhe këtë në kurriz të qytetarëve, madje duke mashtruar se kjo nuk do të prekë konsumatorët familjarë!!!

Jo! Do t’i prekë me dhjetëra mijë në mos qindra mijë familje shqiptare. E jo vetëm ato, por do të prekë edhe biznesin, edhe sipërmarrjet, që do të kenë rriskun e falimentimit për shkak të kostove të rritura të energjisë!

Të mos harrojmë se kursimi është fjalë një goje, por se të gjithë ata që do të përpiqen të kursejnë në kushtet e një të ftohti të paparashikueshëm, do të detyrohen të shtojnë shpenzimet për ilaçe, për ftohje për sëmundjet dhe për problemet e tjera” nënvizoi Ilir Meta.