Edhe në OKB, Rama vlerëson Vuçiçin dhe mbron Ballkanin e Hapur, injoron Kosovën

Edi Rama bëri avokatin e Aleksandar Vuçiç dhe nismës së Ballkanit të Hapur edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. 

Kreu i qeverisë injoroi Kosovën, duke mos përmendur në asnjë rresht të fjalimit të tij shtimin e njohjeve nga shtetet që deri tani kanë hezituar. 

I vetmi moment kur Edi Rama përmendi Kosovën kishte lidhje me Ballkanin e Hapur dhe dialogun Prishtinë-Beograd. 

Pjesa tjetër e fjalimit të Ramës ishte rrëfim si për të treguar se ai dhe Aleksandar Vuçiç janë mëkëmbësit e rajonit dhe se nismës së tyre Open Balkan duhet t'i shtohen edhe Greqia e Turqia. 

E gjitha kjo për të justifikuar shndërrimin e Shqipërisë në vasale të Serbisë përmes Ballkanit të Hapur. 

Pjesë nga fjala në OKB: 

Edi Rama:

"Do them disa fjalë për Ballkanin, për të ardhmen. Kthejeni nga të doni këtë rajon dhe do të gjeni benzinë për ndezjen e ndasive. Por ne e kemi kuptuar që mënyra për të ecur përpara është t’ia dalim së bashku.

Një sipërmarrje të përbashkët si pjesë e një kuadri të përbashkët. Kjo na bëri bashkë me Maqedoninë dhe Serbinë për Open Balkan. Një platformë për Ballkanin, për Malin e Zi, Kosovën, Bosnjën, Turqinë por edhe për Greqinë.

Të lëmë pas të shkuarën dhe të gjejmë arsye të mira për të zgjedhur mosmarrëveshje. Duke forcuar marrëdhëniet me Serbinë, Shqipëria nuk do të lëviz asnjë centimetër për mbështetje dhe qëndrimi që të njohë Kosovën.

Është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin përtej ngërçit dhe të bëjnë rolin e tyre për një marrëveshje paqeje për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të mbështetur nga BE dhe SHBA. Mbetem i bindur që Ballkani i Hapur do të lehtësojë këtë proces për të mirë të të gjithëve, shqiptarëve dhe serbëve.

Dialogu është rruga e vetme, është i nevojshëm dhe Ballkani i Hapur do ta ndihmojë këtë proces. Nëse do të ecësh shpesh ec i vetëm. Nëse do të ecësh lart, ec krah për krah”.