PL: Ja si po e rrafshon kodrën e Tiranës, banda Rama-Veliaj dhe po mbush xhepat me paratë e betonit!

Partia e Lirisë ka bërë një denoncim të ri sot me pamje të marra nga toka dhe nga ajri, sesi korrupsioni i asaj që e quan banda Rama – Veliaj shkatërron natyrën e virgjër të kodrave të kryeqytetit dhe në vend të tyre, po ngre rezidenca vilash.

Tedi Blushi, Sekretari i Përgjithshëm i PL, publikoi pamjet në vazhdim bashkë me këtë akuzë:

“Masakra e kurorës së gjelbër të Tiranës është një tjetër krim i bandës Rama-Veliaj.

Pamjet në video të marra nga toka dhe sateliti, që i përkasin një prej kodrave dikur më të gjelbëruara të kryeqytetit, në hyrje të autostradës Tiranë - Elbasan, dëshmojnë qartë gjurmën e madhe të shkatërrimit të natyrës së virgjër nga kantieri i stërmadh i betonit, që po zëvendëson pemët me rezidenca vilash.

Kjo është një tjetër dëshmi tronditëse që rrëzon propagandën e gënjeshtërt të "Pyllit Orbital" dhe që tregon në dritë të diellit se si babëzia që nuk ndalet, paligjshmëria dhe korrupsioni i bandës Rama-Veliaj po zhduk me shpejtësi gjelbërimin.

Mbushja e xhepave të tyre me paratë e betonit duke bërë trafik me mushkëritë e banorëve të Tiranës është i vetmi misionin dhe vizion i Edi Ramës dhe Erion Veliaj për kryeqytetin! Këta armiq të gjelbërimit dhe shëndetit të qytetarëve të Tiranës duhen shporrur sa më parë!”