SYRI TV/ Nuk ndalet Rama, urdhëron mbylljen e kopshtit të 'Turgut Ozal'

Qeveria e Edi Ramës duket se i është nënshtruar tërësisht kërkesave nga jashtë për të goditur institucionet arsimorenë vend. Pas presioneve të vazhdueshme të Turqisë, qeveria shqiptare ka filluar të lëvizë duke mbyllur fillimisht kolegjin e vajzave “Mehmet Akif” gjatë ditës së djeshme dhe së fundmi edhe kopshtin në varësi të kolegjeve “Turgut Ozal”.

Përfaqësuesit ligjorë të kolegjeve “Turgut Ozal” reaguan sot për mediat, ndërsa më herët kanë informuar edhe familjarët për situatën e krijuar, të cilën ata e konsiderojnë tërësisht të paprecedentë dhe një goditje e rëndë për arsimin cilësor në Shqipëri.

Në reagim, ata hedhin dyshime të forta mbi qëllimet e vërteta të mbylljes së shkollave, të cilat nuk kanë të bëjnë me plotësimin e standardeve, edhe pse ambientet e këtij kopshti sipas tyre janë ndër më modernët në Tiranë.

Ndërkohë, avokati Isuf Shehu tha se kopshti është financim holandez dhe se çështja do të ndiqet në rrugë ligjore. "Nuk ka lidhje mes fondacionit të Gylestan dhe shoqërisë 'Turgut Ozal'. Aktiviteti i kopshtit është pjesë e aktivitet të shoqërisë 'Turgut Ozal', që është pjesë e një investimi të huaj holandez”, tha ai.