SYRI TV/ Bujqësia në krizë - rrushi kalbet, fermerët: Do t'i presim hardhitë e do të ikim

Bujqësia në krizë. Pas situatës me bostanin apo prodhime të tjera bujqësore, tonelata rrush po kalbet në vreshta për shkak të mungesës së tregut. Fermerët në fshatin Luar të Roskovecit akuzojnë shtetin për mungesë mbështetje, ndërsa sipas tyre pikat e grumbullimit dhe punishtet po tallen me çmimin e vendosur për blerjen e rrushit.

Nga SYRI TV

Tonelata me rrush po kalben në vreshta, për shkak se fermerët nuk kanë treg për ta shitur. Pas situatës me bostanin apo prodhime të tjera bujqësore në zonën e Myzeqesë, tashmë janë fermerët e rrushit të cilët ankohen për mungesën e tregut.

Syri Televizion udhëtoi drejt fshatit Luar në bashkinë Roskovec, ku pa nga afër se si puna dhe mundi i fermerëve është duke shkuar dëm. Ndonëse do të duhet të ishte vjelë që në fillim të muajit shtator, në plantacionet me vreshta të këtij fshati, tonelata me rrush po kalben në hardhi.

Fermerët thonë se çmimi aktual i shitjes së një kg rrush, që shërben për verë apo raki, shkon deri në 200 lekë për kg.

Ky çmim, sipas fermerëve, është nën koston e prodhimit.

Fermerët kërkojnë ndihmë nga shteti, pasi nëse nuk do të gjendet treg, do të detyrohen të presin vreshtat dhe të largohen nga vendi.

Gazetar: Xh. Beharaj

Operator: A. Mara

Redaktor: J. Hoxhaj

Montazhier: O. Demo