Berisha: Ajo që po ndodh në Shqipëri, është shpërbërja e plotë e shtetit ligjor

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar, është shprehur se kjo që po ndodh në vend me daljen e sekreteve sheshit, është shpërbërje e shtetit ligjor.

‘Në zhvillimet e fundit në vend, gjithçka dhe çdo sekret, çdo e dhënë e fshehtë, që ka ekzistuar në arkivën e vendit tonë për banda dhe kriminelë, sot është në treg.

Kjo përbën një zhvillim në pamje të parë shumë tronditës. Por kur mendohesh, dhe arsyeton, konstaton se banditët më të mëdhenj të këtij vendi, shefat e bandave të vendit, janë në parlament, janë në qeveri, janë në institucione, atëherë është e kotë të dramatizosh një diçka që në një vend normal është me të vërtetë dramatike.

Sot, në pikat kufitare qarkullojnë lirshëm të kërkuar dhe të pakërkuar, pasi sistemet nuk funksionojnë. Por përsëri, sot, ortakët e tyre, hyjnë në parlament, hyjnë në qeveri, hyjnë në institucione. Po të krahasosh se pasuritë e krijuara nga ata, me akte malavite, krahasuar me ministrat dhe kryeministrat me firma e dokumente zyrtare, ato janë thërrime.

Nuk është e rastit që ndodhi këto. Është e vërtetë që ishte një sulm i një fuqie armike, por këto kanë ndodhur siç e dinë të gjithë shqiptarët, rëndom nga vetë qeveria dhe bandat e saj.

Ajo që po ndodh në Shqipëri, është shpërbërja e plotë e shtetit ligjor. Shpërbërja totale’, tha kreu i PD-së, Sali Berisha.