Më shumë se 250,000 njerëz kaluan pranë arkivolit të Mbretëreshës Elizabeth

Më shumë se 250,000 njerëz qëndruan në radhë për orë të tëra për të kaluar arkivolin e Mbretëreshës Elizabeth II për të bërë nderimet e tyre në ditët para funeralit të saj në Londër, tha sot qeveria britanike.

Para funeralit shtetëror dje në Londër, pas së cilës Mbretëresha u varros në një ceremoni private në kapelën në Kështjellën Windsor, arkivoli me trupin e saj u ekspozua për pesë ditë në Westminster Hall, pjesa më e vjetër e Parlamentit britanik ku qytetarët mund të i bëjnë nderimet e tyre.

"Më shumë se 250,000 njerëz kanë kaluar nëpër Parlament, kjo është një shifër paraprake për momentin," tha ministrja e kulturës Michelle Donelan për televizionin Sky News.

E pyetur se sa i kushtoi tatimpaguesit funerali, ajo tha se nuk e dinte, por shprehu mendimin se britanikët do t'i konsideronin "para të shpenzuara mirë".

"Ne pamë mijëra njerëz" që vinin në varrim "dhe nuk mendoj se dikush mund të nënkuptojë se mbretëresha jonë e ndjerë nuk e meritoi atë lamtumirë duke pasur parasysh detyrën dhe shërbimin vetëmohues që ajo kreu për më shumë se 70 vjet," tha ministrja.

"Unë gjithmonë e kam konsideruar mbretëreshën tonë të ndjerë si ngjitësin që e mban shoqërinë tonë të bashkuar," tha ajo.

Britania rifilloi sot jetën normale, e pezulluar për 12 ditë për shkak të emocioneve dhe përkujtimeve lidhur me vdekjen e Elizabeth II.

Megjithëse imazhi i funeralit dhe i Mbretëreshës dominon sot në faqet e para të të gjitha gazetave britanike, kriza e kostos së jetesës dhe lëvizjet sociale do të kthehen shpejt në plan të parë.

Mbretëresha Elizabeth II (96) vdiq më 8 shtator pas 70 vitesh mbretërim .