Gazetari Saraçi denoncon skandalin: Si u dorëhoq prokurori ditën që duhet të apelonte vendimin për Lulzim Bashën

Kryeredaktori i Syri Tv, Romir Saraçi, komentoi në emisionin 'Çim Peka Live' mbylljen e dosjes së Lulzim Bashës për lobimin rus. Saraçi deklaroi se kemi të bëjmë me një skandal pasi Prokurori Nezir Gjoka, ditën e fundit që ishin afatet e ankimimit në Gjykatën e Lartë, dha dorëheqjen, për të djegur të gjithë afatet, duke bërë që dosja të mbyllej përfundimisht. 

Saraçi deklaroi se dosja e Lulzim Bashës, nga Prokuroria deri në Gjyaktën e Apelit është mbyllur në shkelje të të gjithë procedurave ndërsa shtoi se njerëzit e drejtësisë janë të dyshimtë, pasi mund të kenë qenë nën ndikim apo edhe mund të jenë paguar.

"Për mbylljen e dosjes së zotit Basha, sa i përket përplasjes së Prokurorisë, si është mbyllur kjo dosje. Një prej prokurorëve të ngarkuar nga grupi hetimor ka thërritur dhe i ka komunikuar akuzën Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe të tjerë pa dijeninë e dy prokurorëve të tjerë. 

Për këtë shkak, drejtuesja e Prokurorisë Tiranë është detyruar të shkarkojë Prokurorin Ervin Karanxha që ka bërë këtë veprim dhe të kalojë dosja në gjykatë nga dy prokurorët e tjerë, Gjergj Tako dhe Kol Hysenaj. 

Për herë të parë ndodh që prokuroria shkon pa kërkesë zyrtare ose pa një kërkesë të unifikuar përballë gjykatës. Dy prokurorë kundërshtojnë njëri-tjetrin. Në këtë moment, Gjykata duhet ta rikthente dosjen në Prokurori për të shkuar më pas në qëndrim. 

Nuk veproi në këtë formë shkalla e parë, ka pranuar kërkesën për pushim, kërkesë e një prej prokurorëve. Më pas ka shkuar në Apel dosja. 

Është vepruar me të njëjtin standard ku ka qenë vetëm gjyqtari Shkëlqim Mustafa që e ka konstatuar dhe kërkoi që dosja të kthehej në Prokurori. 

Ndodh një habi tjetër. Prokurori Nezir Gjoka që duhet të bënte rekursin në Gjykatën e Lartë të kësaj dosje, ditën e fundit që ishin afatet e ankimimit në Gjykatën e Lartë, ai jep dorëheqjen. KLP e pranon. Një vendim absurd për të djegur të gjithë afatet në mënyrë që të mbyllet dosja.

Kjo dosje, nga Prokuroria deri në Apel është mbyllur vetëm me procedurë, duke shkelur procedurat dhe me vendim të njerëzve të drejtësisë shumë të dyshimta, që kanë qenë në ndikim, mund të jenë paguar.”-tha Saraçi.