Gazetari turk kërkoi azil por u deportua brenda 24 orësh/ Avokati bën kallëzim penal për drejtuesin e policisë së Rinasit

Erdhi për të gjetur strehim në Shqipëri, por një gazetar turk u dëbua në vendin e tij brenda 24 orësh që kurse zbriti në territorin shqiptar.

Por ashtu siç kishte paralajmëruar një ditë më parë, avokati i gazetarit turk të deportuar të dielën nga Shqipëria, ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës për shpërdorim detyre, shefin e Komisariatit të Rinasit Përparim Demën.

Sipas avokatit mbrojtjes të Ahmet Emre Olur, Dema ka shpërdoruar detyrën, pasi është vënë në dijeni që në momentet e para lidhur me kërkesat e klientit të tij për qëndrimin në Shqipëri, pasi rikthimi në Turqi i rrezikonte jetën, për shkak se në vendin e tij njihej si kundërshtar i presidentit turk Erdogan.

Avokati Arben Llangozi, thotë se në procesverbalin e ndalimit të Emre Olur, nuk është përmendur fakti se klienti i tij kërkonte azil politik, dhe deportimi i tij është bërë në shkelje të procedurave. Më tej, përveç Demës, mbrojtja paralajmëron një tjetër kallëzim për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë sl Shtetit, pasi Komisariati i Rinasit, Drejtoria e Përgjithshme dhe salla operative sipas tij është vënë në dijeni për mbërritjen e gazetarit turk në Shqipëri. Më tej, Llangozi argumenton se Emre Olur do të qëndronte vetëm 3 ditë në Shqipëri, pasi i kishte përfunduar afati i qëndrimit në Emiratet e Bashkuara dhe duhej të kryente një udhëtim jashtë këtij vendi për t'ju njohur e drejta e rikthimit. Ai thotë se nl Serbi ku ka kaluar transit, nuk i është aprovuar qëndrimi për shkak të një marrëveshjeje që ekziston mes këtij shteti dhe Turqisë, ndaj kishte vijuar udhëtimin drejt Shqipërisë. Pavarësisht interesimit të vazhdueshëm pranë Policisë së Shtetit, nuk ka një qëndrim në rrugë zyrtare apo jo zyrtare në lidhje me procedurat e ndjekura nga shteti shqiptar për deportimin e Ahmet Emre Olur.