Ekzekutimi i 19-vjeçarit/ Dyshimet e babait, autorët u larguan pasi...

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmjen e së dielës në Shkodër, ku mbeti i vrarë 19-vjeçari Erjon Xhenje.

Në trupin e viktimës janë gjendur 5 plumba dhe vrasja ndodhi rreth 500 metra pranë banesës së tij.

Xhenja ndodhej në brendësi të një lokali në lagjen “Kiras” në nën shoqërinë e disa personave, ku më pas disa persona të paidentifikuar, janë afruar me motoçikletë dhe kanë qëlluar në drejtim të të riut.

Ndonëse fillimisht dyshohej që ngjarja mund të kishte ndodhur edhe për shkak të një konflikti të çastit, të dhënat e reja duket se e hedhin poshtë këtë pistë. Gjithnjë sipas të dhënave të deritanishme, autorët kanë qëlluar të paktën 8 herë në drejtim të 19-vjeçarit dhe janë larguar një moment që janë siguruar se ai kishte ndërruar jetë.

Dyshohet se autorët janë dy, të cilët pas vrasjes janë larguar drejt lagjes “Guerrile”, ku dyshohet që të kenë djegur motoçikletën, në afërsi të cilës është gjendur edhe arma që dyshihet se është përdorur për ekzekutimin e Xhenjes.

Gjatë komunikimit të shkurtër me efektivë të policisë, i ati i viktimës tha se djali i tij nuk ka pasur konflikte, por se mund t’i ndodhte diçka prej kushërinjve të tij. 

Rreth dy vite më parë, Sehar Xhenja, kushëri i viktimës është akuzuar për një atentat të mbetur në tentativë. Kjo mund të jetë një nga pistat e hetimit. Erjon Xhenja, 19-vjeçari që mbeti i vrarë, është i afërm i Sehar Xhenjës, i cili është në kërkim për tentativë vrasje pasi qëlloi me armë drejt automjetit me të cilin po lëvizte Taulant Pepaj në shkurt të vitit 2021. Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim edhe Eljon (Esmeraldo) Hato, 31 vjeç dhe dhe Shkëlzen Xhenja, 29-vjeç.