Berisha: Italia rol të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt tregut dhe demokracisë

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka zhvilluar një bashkëbisedim online me shqiptarët në Itali.

“Ju përshëndes përzemërsisht ju dhe të gjithë emigrantët shqiptarë në Romë, Itali dhe kudo që ndodhen.

Ju falënderoj me mirënjohje, për ardhjen tuaj sot në këtë foltore të cilën e konsideroj shumë të rëndësishme.

Në një bashkëbisedim me ju përfaqësues të shkëlqyer të emigracionit tonë, në prag të një ngjarje të madhe të Italisë, rikthimit të koalicionit të djathtë në pushtet, që ka një rëndësi të madhe për rajonin dhe Europën.

I shpreh një mirënjohje të thellë qeverisë dhe kombit italian për solidaritetin e jashtëzakonshëm që kanë treguar për Shqipërinë dhe shqiptarët në këto dekadat e fundit.

Ndihmat e mëdha të këtij vendi mik kanë pasur një  rol mjaft të rëndësishëm në ecjen e Shqipërisë në rrugën e tregut dhe të demokracisë.

Nuk ka asnjë vend tjetër në të cilën emigracioni shqiptar të ketë arritur në një kohë të shkurtër sukseset e mëdha që kanë arritur emigrantët në Itali.

Sot janë dhjetëra mijëra biznese të suksesshme, të vogla, të mesme e të mëdha që drejtohen nga shqiptarët.

Janë dhjetëra mijëra studentë që studiojnë në universitet e Italisë.

Sot janë dhjetëra mijëra shqiptarë që janë në Shqipëri dhe investojnë pasi kanë krijuar disa kapitale dhe kanë marrë njohuritë për bizneset. Italia dhe Shqipëria kanë një lidhje miqësore shumë të ngushtë, por siç thotë Adam Smith, që pasuria përhapet, e vërteta është se nëse është përhapur diçka me më shpejtësi në Shqipëri është biznesi, kultura italiane në të gjitha fushat”.