Analisti: Opozita më Ramën dhe Vuçiç kanë plane për ta rrëzuar qeverinë Kurti, tani po përdorin fëmijët

Prishtinë - Takimi mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Këshillit Grevist të udhëhequr nga Rrahman Jasharaj, në qendër kishte idenë e prodhimit të një zgjidhjeje, por përfundoi me një paqartësi shtesë. Kritikët e grevës po deklarojnë se greva tashmë është shëndrruar në kauzë politike, duke mospërjashtuar rrëzimin e qeverisë Kurti, shkruan Syri Kosova.

Menjëherë pas takimit të shumëpritur, të dy palët dolën në konferencë për media, por thanë versione të ndryshme rreth asaj se çfarë u fol në takim. Kryeministri Kurti deklaroi se sindikalistët po tregohen kokëfortë, ngaqë nuk po lëvizin nga kërkesa e tyre, shuma prej 100 eurove.

Kreu i qeverisë e vuri në dyshim qëllimin e grevës, për çka tha se qëllimi i saj do të merret vesh në ditët në vijim.

“Të kërkosh përmbushje të plotë të kërkesës është e palogjikshme dhe e rrezikshme. Një sindikatë që i kërkon 100 euro e i ka marrë 50 euro dhe gjithë këto shtesa, 5% të produktit vendor sivjet e 4% të vitit të kaluar, organizon festë, nuk vazhdon grevë! Por në ditët dhe javët në vijim do ta marrim vesh, nuk është në pyetje arsimi, nuk janë arsimtarët. Tha do të konsultohemi për anëtarësinë, e doli para mediave”, deklaroi Kurti

Nga ana tjetër, Rrahman Jasharaj, figura kryesore që po udhëheq grevën, pas takimit ka deklaruar se sindikalistët ishin gati për një kompromis, por qeveria nuk po lëvizë nga pozicioni i saj.

“Ne ishim gati të bëjmë këtu një kompromis të vogël për hir të situatës, por qeveria mbeti te shuma e proklamuar”, theksoi ai.

Gjithë kjo amulli që është krijuar, nga analisti politik Faton Mehmeti, po shihet si grevë politike dhe se SBAShK-u po flet në emër të opozitës.

Mehmeti duke folur për Syri Kosova, thekson faktin se pikërisht kjo kryesi e SBAShK-ut para disa vitesh arriti një marrëveshje me PAN-in, ku u tregua e mirëkuptushme, e tani nuk tërhiqet nga greva.

 “S’ka dyshim se SBASHK-u në disa raste është treguar e afërt me PDK, më skandaloze ishte marrëveshja me PA N në kohë fushate në 2017. Në këtë kuptim nuk është SBASHK me këtë kryesi e ka humbur legjitimitetin për t'u thirrur në emër të mësimdhënësve. Kjo grevë edhe nëse do të ishte pa qëllime politike, s’mund të jetë e besueshme përderisa nuk reflekton pas vendimit të qeverisë për të dhënë nga 50 euro.

Barrikadimi pas frazës "greva vazhdon" pa ofruar zgjidhje tjetër, është vendim politik për t'i bërë ison, opozitës ndaj qeverisë. Ka kohë që opozita bashkë më Ramën dhe Vuçiçin kanë plane për të rrëzuar qeverinë. Në pamundësi për të rrëzuar në mënyra tjera, po përdorin fëmijët si instrument”, tha Faton Mehmeti për Syri net.

Edhe Këshilli i Prindërve janë të pezmatuar me këtë situatë dhe me gjithë hendekun e krijuas mes Qeverisë dhe SBAShK-ut.

SBAShK-u në dorën e PDK-së?!

Derisa sistemi arsimor publik në Kosovë është paralizuar, njëri ndër organizatorët e këtyre grevave është edhe sekretari i SBASHK-ut Ymer Ymeri që menaxhon financat e kësaj organizate e cila ka gjeneruar miliona euro përgjatë këtyre viteve.

Nëse ndalemi dhe shikojmë rrjetin social Facebook, tw Ymer Ymeri rezulton të jetë një aktivist i devotshëm i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai përgjatë shumë viteve ka bërë fushatë për PDK-në dhe ish-liderët e saj Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli si nëpër rrjete sociale po ashtu edhe me pjesëmarrje fizike. Madje në vitin 2016, Ymeri shihet duke marrë pjesë në konventën e PDK-së në kohën kur është zgjedhur kryetar i kësaj partie Kadri Veseli.

E, lidhja e sekretarit të SBASHK-ut me PDK-në, kulmoi në zgjedhjet lokale të vitit 2021, ku vajza e tij Valmire Ymer Ymeri kishte garuar për asambliste nga radhët e PDK-së Me gjithë mbështetjen që ia kishte dhënë babai i saj, duke përdorë edhe rrjetet sociale, ajo nuk kishte arritur t’i fitonte votat e mjaftueshme për tu futur në asamble.

Sipas burimeve të Syri Kosova brenda SBASHK-ut, në kohën e fushatës në zgjedhjet lokale 2021, sekretari i kësaj sindikate kishte bërë presione dhe kishte kërkuar favore tek anëtarët e SBASHK-ut për ta votuar vajzën e tij dhe Partinë Demokratike të Kosovës -në.

Si nisi greva?

I gjithë ky lëmsh filloi kur SBAShK-u, shpalli grevën e përgjithshme në arsim dhe në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, si pasojë e mos përmbushjes së kërkesës së tyre për rritje page në vlerë prej 100 eurove nga ana e Qeverisë, të paktën deri sa të miratohet Projektligji për Paga.

Aktualisht, shumica dërmuese e mësimdhënësve vazhdojnë të jenë në grevë, bashkë me një pjesë të nëpunësve civilë. 2.8 milionë euro në muaj apo 33 milionë euro në vit do të harxhoheshin nga kuleta e shtetit, nëse Qeveria e Kosovës do vendoste të ia rriste pagën mësimdhënësve nga 100 euro.

Për pasojë nxënësit i zë edhe një ditë e re pa marrë rrugën për në shkollë./a.a/SYRI KOSOVA