Ndërtimi i kullave pa leje në Tiranë e kudo/ Qeveria: Fajin e ka opozita...

Në kulmin e debateve për ndërtimet pa leje, ku qeveria ka miratuar një VKM per konfiskimin e ndërtimeve pa leje, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka fajësuar opozitën që sipas tij i ka favorizuar këto ndërtime kur ka qene ne pushtet.

Pyetje: A ka nisur qeveria punën për të zbuluar misteret si janë ndërtuar pallatet pa leje në Tiranë në pronësi të biznesmenëve Salillari dhe Morina që kanë përfituar kontrata publike?

Niko Peleshi: Nuk besoj se është një pyetje që mund të më bëhet mua, por si përfaqësues i qeverisë mund t’ju them se qeveria nuk e ka hequr nga 2013-a edhe në vazhdim këmbën nga gazi për të hyrë në një kapitull të ri të territorit, të raporteve të shtetit me territorin.

Ju e mbani mend mirë sesa ndërtime pa leje janë prishur sapo ne kemi nisur punën nga viti 2013. Shumë të kritikuar kemi qenë, siç e quante opozita agresivitetin ndaj këtyre zhvillimeve.

Ne ndahemi me opozitën shqiptare, e cila kur ka qenë në pushtet jo vetëm nuk ka përdorur forcën e ligjit, por i ka inkurajuar dhe i  ka lavdëruar dhe i ka quajtur energjia e qytetërimit. Kjo na i ka bërë të vështirë, sepse kemi trashëguar shumë ndërtime pa leje. Ju siguroj që e njëjta temperaturë diskutimi është edhe sot në çdo mbledhje qeverie.

Nuk ka kompromis as në qendër të Tiranës, apo në qytete të tjera. Shpesh herë na kritikojnë pse jemi tolerant në periferi, le më pastaj në qendër të Tiranës.

Unë rikonfirmoj edhe njëherë që qeveria shqiptare do të vazhdojë të jetë siç ka qenë në këto 8 vite, e papajtueshme me veprimtaritë e paligjshme në fushën e territorit. Jemi kritikuar se kemi qenë tolerant.