Berisha: Azem Hajdari u ekzekutua nga vrasës me uniformë pasi ndau epokat me lëvizjen e tij

Kryetari demokrat, Sali Berisha, foli për mediat pas homazheve pranë memorialit të Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari.

Berisha tha se Hajdari u ekzekutua pasi me aktin e tij, ai ndau epokat dhe sistemet.

“Jemi këtu për t’u përulur me nderimin më të madh, mirënjohjen më të pakufishme, ndaj veprës së tribunit legjendar të shqiptarëve, Azem Hajdari.

Azem Hajdari hyri në historinë e kombit tonë, si shqiptari që me një grup të guximshëm studentësh, bënë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Në dhjetorin ’90, Shqipëria kishte mbetur vendi i vetëm ish-komunist në Europë, nën diktaturën staliniste 46-vjeçare, dhe në monizmin e plotë. Përpjekjet e shqiptarëve për të dalë prej kësaj diktature, sakrificat e tyre më të jashtëzakonshme për liri, dinjitet njerëzor dhe kombëtar, u ndeshën me shtypjen më të egër. Çdo akt kundërshtie ndaj regjimit apo akt disidence, ishte i barabartë me hapjen e dyerve të burgut apo mihjen e varrit për shkak të shtypjes së egër staliniste dhe intolerancës totale të regjimit diktatorial.

Në këto rrethana, Azem Hajdari guxoi të dalë në një protestë të fuqishme me studentët, të vihet në një mënyrë epike në krye të kësaj lëvizje, e cila në një hark kohor treditor, solli gjunjëzimin e regjimit dhe vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri.

Me këtë akt, Azem Hajdari dhe bashkëluftëtarët e tij, ndanë epokat, atë të monizmit nga pluralizmit, sistemin diktatorial nga sistemi i vlerave. Për këtë akt, Azem Hajdari u ekzekutua me 12 shtator të vitit 1998 nga përfaqësues kriminelë, vrasës me uniformë, kapitenë, kolonelë apo nënkolonelë të regjimit.

Por ai është dhe mbetet frymëzim i madh për shqiptarët. Mbetet i përjetshëm me veprën e tij,” tha Berisha.