Libri i punëve të mira të PD, udhërrëfyes për demokratët dhe qytetarët shqiptarë

Krenaria dhe marrëdhënia me historinë janë dy elemente thelbësore të identitetit të një partie politike. Për fat të keq, Partia Demokratike ka pësuar në mënyrë të vazhdueshme prej 9 vitesh, si një stuhi e pandalshme, sulmet e propagandës së Rilindjes e cila është munduar dhe ka arritur të zhbëjë në një masë të madhe në koshiencën dhe subkoshiencën e qytetarëve shqiptarë arritjet e qeverisjeve te ndryshme të saj që prej rrëzimit të diktaturës komuniste.

Vitin e fundit, kjo makineri propagandistike është ndihmuar nga një grup individësh brenda Partisë Demokratike.

Si mund të kërkojmë një angazhim të fortë kundër një regjimi kriminal nëse nuk kemi njohuri për historinë tonë dhe për rrugëtimin e familjes sonë politike në ujërat e trazuar të vendit? Si mund ti kërkojmë një brezi të ri të angazhohet kundër një autokracie te mirë instaluar nëse nuk arrijmë të ndjellim brenda shpirtit të tyre ndjenjën e krenarisë së të qenit pjesë e një familje politike me kontribute të mëdha në zhvillimet e Shtetit Shqiptar?

PD nuk është një parti e sapokrijuar, por një parti e fuqishme me histori 30-vjeçare që e ka të lidhur trashëgiminë e saj me arritjet më domethënëse dhe më zhvillimore në vend.

Beteja e kujtesës duhet të çohet në çdo shtresë të popullsisë por duhet të bëhet në radhë të parë për vet militantët e Partisë Demokratike si lajmëtarët dhe përfaqësuesit e parë të saj, ata që ballafaqohen me qytetarët shqiptare në jetën e tyre të përditshme.

Është thelbësore që të krijohet një libër i punëve të mira të Partisë Demokratike. Ky libër duhet të jetë për përfaqësuesit politikë dhe të zgjedhur, si dhe strukturat e PD nëpër qarqe, me qëllim informimin e saktë të militantëve dhe publikun e gjerë për trashëgiminë e Partisë Demokratike dhe pozicionim e qartë kundër çdo gjëje që përfaqëson Partia Socialiste.

Lufta e kujtesës, e krenarisë, për të çuar luftën ndaj Rilindjes gjithandej ku helmi i saj ka gangrenuar mendjen e shqiptarëve dhe për tu dhënë mjetet e nevojshme militantëve.

Ky libër duhet të plotësohet me një panoramë të qartë se cili është diferencimi konceptual midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

Duhet ri pozicionuar vetja sepse është krijuar një konfuzion i madh në shoqëri Me një saktësi kirurgjikale, Rilindja e Edi Ramës ka vendosur dhe më pas rrënjosur ‘Sistemin e Konfuzionit të Përhershëm (SKOP)’.

Në këtë sistem qytetari shqiptar ka humbur pikat e referencës të nevojshme për të vlerësuar se çfarë është e mirë dhe çfarë nuk është. Më keq, në këtë sistem, qytetari shqiptar nuk është më në gjendje të vlerësoj as se çfarë është normale dhe jo, element ky neutral, i zhveshur nga petku i gjykimit moral.

Si pasojë, njerëzit përsërisin shpesh shprehjen ‘të gjithë janë njësoj’.

Partia Demokratike duhet të tregojë se është një parti e angazhuar për lirinë, për dinjitetin njerëzor. Duhet të tregojë se beson tek forca e institucioneve për të ndërtuar shtyllat dhe mburojat e nevojshme për lulëzimin e mirëqenies së qytetarëve. Një Qeveri e vogël, pro-biznesit dhe kundër monopoleve, kundër kriminalizimit të ekonomisë dhe shoqërisë.