Liangbin Chen/ Gjykata e Tiranës e fut në 'arrest shtëpie' grabitësin kinez të 145 mln eurove, ka 'mish' në tru

Ai u kap në Rinas. Ishte i shpallur në kërkim për shkak se akuzohej për mashtrim në shuma të mëdha. Momentin e arrestimit të tij, Policia e Shtetit shpërndau një komunikatë në të cilën dëshmohej suksesi i kapjes së një shtetasi kinez, i shumëkërkuar nga autoritet e drejtësisë kineze për mashtrimin me vlerë 145 milionë euro.

I riu, i cili vinte nga Dubai, u mbajt në qeli, por shpejt atij i nisin komplikacionet e një sëmundjeje që pret Mjekësinë tonë Ligjore për ta ekzaminuar, shkruan Panorama.

Dhe kështu ndodh! Duke qenë se dy avokatët shqiptarë të tij kërkojnë ndryshim mase sigurie duke u bazuar në sëmundjen e tij edhe Gjykata dhe Prokuroria bien dakord që kinezi të kontrollohet dhe të vendoset mbi fatin e tij nëse vlen të qëndrojë në burg apo të nxirret në arrest shtëpie dhe të kurohet aty, pasi në burg dhe as në spitalin e burgut nuk mund të kishte dietën që i duhej atij për sëmundjen.

Mjekët ligjorë vendosin që kinezi është i sëmurë dhe prokuroria e gjykata e pranojnë duke i hapur dyert e burgut ditën e djeshme dhe duke e nxjerrë përjashta. Por, Gjykata në vendimin e vet pretendon se është lënë në arrest shtëpie dhe se do të mbikëqyret nga Policia e Shtetit, duke i përcaktuar si vendbanim zonën e Farkës.

Kështu është liruar pasditen e djeshme nga gjykata e Tiranës.

Vendimi për zbutjen e masës së sigurisë nga “Arrest në burg” 40 ditor në “Arrest shtëpie”, u mor nga gjyqtari i Tiranës, Kujtim Vranici. Ky i fundit pranoi kërkesën e avokatëve mbrojtës të shtetasit kinez Liangbin Chen, i arrestuar në 20 korrik të këtij viti në komisariatin kufitar të Rinasit.

Avokatët kishin depozituar një kërkesë në sekretarinë e Gjykatës, duke pretenduar zëvendësimin e masës së sigurisë nga arrest në burg në “Arrest shtëpie”.

Kërkesa e avokatëve mbështetej në disa ekzaminime mjekësore që i janë kryer të arrestuarit kinez, klient i tyre. Dhe sipas këtyre ekzaminimeve, rezultonte se Liangbin Chen, vuan nga sëmundje në tru, për shkak të një mase mishi të huaj në kokë. Nisur nga kjo situatë që vinte nga gjendje shëndetësore e të arrestuarit, avokatët kërkuan nxjerrjen nga burgu të kinezit, pasi qëndrimi i tij në burg i rrezikon jetën.

Ky pretendim i avokatëve u kundërshtua nga prokurori i Tiranës, Isa Jata, i cili argumentoi se Drejtoria e Burgjeve, ka spitalin e Burgut ku të dënuar dhe të arrestuar marrin trajtim mjekësor për çdo komplikacion shëndetësor. Pavarësisht kundërshtimit të prokurorit, gjyqtari Kujtim Vranici, vendosi të pranojë kërkesën e avokatëve mbrojtës të kinezit, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Për të vënë në zbatim këtë masë sigurimi, dy avokatët kishin paraqitur ditën e djeshme një kontratë qiraje të një shtëpie në zonën e Farkës, që kishin marrë me qira. Policia e Tiranës dhe ajo e burgjeve, ka transportuar kinezin Liangbin Chen nga ambientet e burgut në drejtim të shtëpisë së marrë me qira në zonën e Farkës.

Chen do të qëndrojë në arrest shtëpie në mbikëqyrje policore sipas vendimit të firmosur nga gjyqtari Kujtim Vranici. 32-vjeçari, me profesion programues kompjuterik, u arrestua si kreu i një grupi kriminal që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzën e “Mashtrimit” me pasoja të rënda.

Ky grup kriminal ka mashtruar dhjetëra qytetarë kinezë, ndërkohë aktiviteti ka qenë i shtrirë edhe në Dubai. Platforma e ngritur online u mbyll dhe Chen bashkë me bashkëpunëtorët u zhdukën me 1 miliard jen, ose 145 milionë euro. 32-vjeçari mbërriti në Shqipëri nga Dubai dhe dyshohej se do të fshihej në vendin tonë.

Ky rast i paprecedentë, në kufijtë e skandalit ka ndodhur edhe me Abdulselman Turgut, i cili kërkohej për trafik droge nga autoritetet gjermane, por që Gjykata e Apelit të Tiranës e liroi atë.

Pas lirimit, ky u fundit u arratis, ndërsa tashmë është shpallur në kërkim në lidhje me sulmin terrorist që mendohet se ishte planifikuar ndaj opozitarëve iranian, muxhahedinëve, që ndodhen në kampin ASHRAF 3 në Manzë.

Tre mjekë ligjorë ekzaminuan kinezin: Ka mish të huaj në tru

Në vendimin e Gjykatës fiksohen disa detaje që kanë të bëjnë me elementët e sëmundjes së kinezit të ndërmarra nga mjekët ligjorë, të cilëve iu paraqiten tri pyetje për t’u kthyer përgjigje dhe konkretisht: Cila është gjendja shëndetësore e personit të paraburgosur L. Chen?

A vuan nga ndonjë sëmundje shtetasi L. Chen dhe nëse po, cila është ajo? Nëse personi nën hetim L. Chen vuan nga ndonjë sëmundje, a mund të kurohet në kushtet e paraburgimit dhe nëse jo, çfarë pasojash vlerësoni që mund të vijnë?

RRETHANAT E ÇËSHTJES

Referuar të dhënave të vendimit të kryerjes së ekspertim mjekoligjor, rezulton se në Gjykatën e Tiranës, dhoma Penale është duke u shqyrtuar çështja penale me nr. 1563/1, me kërkues shtetas Liangibim Chen me objekt zëvendësimin e masës së sigurimit person në fjalë nga “Arrest me burg” caktuar nga gjykata e Tiranës në “Arrest shtëpie”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurave Penale. Shtetasi L. Chen u paraqit në IML Tiranë.

Gjendja e përgjithshme disi mire. Lëkura dhe mukoza e kloloruara. Në momentin e vizitës ankon për dhimbje të forta koke, të vjella e heraherës humbje ndjenjash, ulje të kujtesës, pagjumësi. Referon se ankesat i kanë filluar në vitin 2020 e më pas në Singapor ka kryer rezonancë magnetikë të kokës nga ku ka rezultuar një lezion cistik në tru për të cilën mjekët i kanë sugjeruar ndërhyrje kirurgjikale.

Referohet pranë QSB për ekzaminime dhe konsulta specialistike. Në raportin e rezonancës magnetike ë kokës, në emër të shtetasit L. Chen i datës 14.12.20202 kryer nga qendra “Royal” shënohet: nuk shihet asnjë fokus i difuzionit të kufizuar që sugjeron për praninë e një infarkti akut.

Nuk ka asnjë dëshmi të ndjeshmërisë jo normale brenda truri që sugjeron praninë e produkteve hemorragjike intrakraniale. Diferencimi normal i lëndës gri të bardhë është i ruajtur. Nuk është zbuluar atrofi disproporcionale lobare, cerebrale ose e trungut të trurit./ Marre nga Panorama