Teliti: Paketa e dytë e ndihmës 3 herë më e vogël se e para! Qeveria do arkëtojë, s'nxjerr gjë nga xhepi

Eksperti i ekonomisë në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, i ftuar në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv, komentoi paketën e rezistencës sociale të prezantar sot nga qeveria. Teliti tha se paketa e parë ishte e pamjaftueshme dhe rezultoi paketa më e ulët në rajon, ndërsa për të dytën që u prezantua sot, eksperti tha se u bë një lojë fjalësh duke thënë se kemi të bëjmë me një paketë afatmesme.

Sipas Telitit, qeveria i bën këto prezantime para zgjedhjeve lokale ndërsa shtoi se nga paketa që tregoi Rama sot, do arkëtohen para në buxhetin e shtetit, dhe qeveria nuk nxjerr asgjë nga xhepi për qytetarët. Paketa e dytë tha Teliti, është më e ulët se e para.

“Deshën të mbulonin faktin që s’kanë ndërmarrë një paketë reale konkrete. Për pensionistët, për muajt shtator-dhjetor, alokohen 2 miliardë lekë të reja, ose 17 mln euro për indeksimin siç e tha Rama për indeksimin e pensioneve se çmimet janë rritur.

Ajo që po ndodh, po ta përkthejmë në para reale, duke marrë pensionin mesatar 173 mijë lekë, ndihmë mujore janë 10 mijë lekë të vjetra. Ndihmë për 330 lekë të vjetra në ditë. Prisnim paketë më të lartë, por u prezantua një paketë 3 herë me e vogël.”-tha Teliti.

Për pagat në sektorin publik, për 42 mijë punonjës, Teliti tha se qeveria parashikon rritje prej 50 mijë lekësh të vjetra për administratën publike.

“Nga viti 2017 s’ka pasur asnjë rritje page për administratën. 5 vite e njëjta pagë. Çmimet gjatë këtyre viteve kanë vazhduar të rriten.

Sot punonjësit e administratës përballen me rënie prej 50 për qind në varësi të nivelit të pagës, së fuqisë së tyre reale të fuqisë blerëse.

Kjo rritje nga Rama, 50 mijë lekë të vjetra në muaj, i njëjti fenomen si në 2017 rritje elektorale para zgjedhjeve lokale.”-tha Teliti.

Sipas Telitit, për këto 3 muaj, punonjësit e administratës, marrin një pjesë e kompensimit të dëmeve që ka shkaktuar rritja e çmimeve të këtij viti.

Nuk përfshihen ato në 2017 e deri tani. Fuqia blerëse e punonjësve të administratës publike, fatkeqësisht vazhdon të bie çdo ditë.”-deklaroi teliti.

Në lidhje me ndihmën ekonomike, Teliti tha se rritet mesatarish 7 mijë lekë të vjetra për familjet që trajtohen me këtë skemë.

“Flasim për 6-7 mijë lekë të vjetra, flasim për 230 lekë të vjetra në ditë që i jep ndihmë qeveria me këtë paketë. Me paketën e parë, që patëm po ashtu kundërshtime, tashmë është 5 herë më e ulët. Për 90 mijë përfitues jep 1.5 mln euro.

Për ndihmën ekonomike dhe ato persona me aftësi të kufizuar flasim për një vlerë 420 milionë lekësh të reja. Instalacioni prej druri në kryeministri kushton më shumë se kaq.

Kjo është filozofia e qeverisë shqiptare. Ato të sëmurët që s’ja dalin dot, ndihma për ta vlen më pak se instalacioni në kryeministri.”-u shpreh Teliti.

Teksa u ndal tek paga minimale, eksperti i ekonomisë deklaroi se qeveria ka vendosur që bizneset shqiptare për çdo punonjës që e paguajnë në nivel të pagës minimale, mos ta paguajnë më me 220 mijë lekë të vjetra, por me 240 mijë lekë, dhe ky detyrim shkon tek biznesi ndërkohë që buxheti i shtetit mbushet nga sigurimet shoqërore.

Kosto që do përballohet nga biznesi dhe jo nga qeveria.  Duhet të prezantojnë çdo bëjnë me paratë e buxhetit të shtetit, jo çfarë do bëjë me paratë e biznesit.

Këtyre ua ka marrë njëherë paratë me taksimin, duhet të thotë qeveria se çfarë do bëjë me paratë e veta.

Me rritjen e pagës minimale, rriten të ardhurat e shtetit nga sigurimet shoqërore. Për çdo pagë në Shqipëri, punëdhënësi dhe punëmarrësi, paguhen në total në arkën e shtetit 27.9 për qind të pagës tënde bruto në sigurime shëndetësore e shoqërore.

Nga rritja me 20 mijë lekë të vjetra, nga 320 në 340, do paguhen sigurime shtesë. Mbi 5 mijë lekë shtesë për person, në nivel vjetor janë 60 mijë lekë të vjetra, nga kjo rritje flasim për 1.2 miliardë lekë të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit që qeveria do ja marrë biznesit.

Rritja e pagës minimale do sjellë 2.6 miliardë lekë të reja në buxhetin e shtetit, shteti do arkëtojë dhe nuk do nxjerri gjë, s’mund të quhet ndihmë kjo nga qeveria.”-tha Teliti.