Test droge edhe për agjentët e AMP-së

Një rregullore e re për funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore është miratuar pasi u vendos edhe drejtori i ri Ardi Veliu, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë.

Në bazë të kësaj rregulloreje, e cila ka marrë edhe dritën jeshile nga qeveria, të gjithë agjentët e AMP, duhet t’i nënshtrohen testit të drogës. Kush nuk pranon të bëjë këtë test, do të përjashtohet nga strukturat e AMP.

Në rregullore përcaktohen qartë edhe rregullat e sjelljes dhe të kujdesit në raport me publikun, ku punonjësve iu kërkohet edhe përmbajtje në përdorimin e rrjeteve sociale për të pasqyruar integritet dhe përgjegjësi.

Sipas rregullores, punonjësi i Agjencisë nuk duhet të japë leksione, të marrë pjesë në ndonjë diskutim publik, ose në ndonjë program televiziv apo radiofonik, të prononcohet apo botojë në median e shkruar, të bëjë postime në rrjete sociale, mbi çështje që lidhen me punën e Agjencisë, pa miratimin paraprak të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë.

Gjithashtu punonjësit që autorizohen për paraqitjen në median vizive, duhet të jenë me veshje zyrtare. Testi i drogës në AMP vjen pas testit në radhët e policisë, ku vetëm një efektive u përjashtua në Elbasan pasi u konstatua përdoruese e lëndëve narkotike.

Klan News