Artan Hoxha në Kolumbi: Kemi zgjedhje, na nevojitet para e madhe...

Gazetari Artan Hoxha ka bërë një status në rrjetet sociale, ku tregon “një të vërtetë” përmes shakasë dhe ironisë.

Kjo e vërtetë lidhet me mënyrën se si, sipas tij, në kontejnerët që vijnë në Durrës me drogë, të fshehura në banane, pagesën “e marrin ata lart” dhe në pranga përfundojnë dhjetëra policë të portit.

Ndërkohë që në statusin e tij, si të përfshirë në këtë trafik ai bën dhe zyrtarë të lartë në Tiranë.

“Sapo dola nga muzeu i Policisë së Kolumbisë në Bogota, më doli ky tipi përpara… Heronjtë e policisë ishin në muze, Don Pablo kishte përfunduar në rrugë…”

“Ja pra kështu i bëjnë “punët e mira”, “kolumbianët e Europës”….

Si përfaqësues i “besueshëm” i Kartelit Labëria, si fillim numërojmë paratë, bëjmë pagesën me korrektësi, dorëzojmë arkat e bananeve bosh… dhe presim kontejnerin në Durrës, plot për plot me “bereqet”.

Këtë radhë, nëse në portin e Durrësit na humbin 60-70 arka me banane, mos më pyesni nga e di peshën e saktë të “mallit”!!!! E kam ngarkuar me duart e mia.

Mos arrestoni kot nga 20-30 policë në port. Policët e portit nuk dinë asgjë për zotin. Pagesën e kanë marrë ATA lart…

Emrin e anijes dhe datën e zbarkimit nuk e them. Ka plas spiunllëk në nivel të lartë andej nga Tirana.

Po e morën vesh ata “artistët” e qeverisë, të marrin 50% të “mallit”. Jo për gjë, por kemi zgjedhje përpara, na nevojitet para e madhe”, shkruan ai.