Panariti: Shtëllunga toksike me pasoja në shëndet, aty ka dioksina, metale të rënda, plumb, arsenik, zhivë

Pasi Ilir Meta akuzoi mafian e plehrave dhe shtetin e vënë plotësisht nën kontrollin e mafias për situatën e krijuar gjatë natës së kaluar në Shijak, e mori fjalën edhe prof. Edmond Panariti që ngriti alarmin për rreziqet e mëdha e të shumanshme që ka shkaktuar djegia e tonelatave mbeturina të paklasifikuara në zonën e Shijakut . Panariti vuri në dukje se duke qënë se inceneratorët nuk funksionojnë, u gjet mënyra kriminale e djegies së mbetjeve në ambiente të hapura.

“Mafia e plehërave të djegësve , - tha Meta, - po dhe e shëndetit të qytetarëve, se ne Shijakun e duam të jetë qendër për zhvillimin e agroturizmin, siç duam të gjithë Shqipërinë të zhvillohet, po edhe ku rriten edhe fëmijë të shëndetshëm që nuk mund të helmohen kurrsesi në këtë mënyrë nga shteti i tyre, që aktualisht është nën kontroll të mafia, por që shumë shpejt do të bëhet shteti i tyre. “

Meta tregoi se prof. Edmond Panariti, një ekspert i toksikologjisë, i bujqësisë etj. ishte një dëshmitar okular që kishte qenë vetë mbrëmë në Golem i asaj skene të llahtarshme.

Panariti tha: “Dramaciteti dhe graviteti i asaj situate shkon përtej asaj që duket, përtej asaj shtëllunge toksike që ka qëndruar varur mbi kokat e banorëve të zonës për orë të tëra sepse djegia e plehrave është një burim i jashtëzakonshëm ndotjeje me pasoja jo vetëm për mjedisin, por dhe shëndetin e banorëve të zonës, nisur dhe nga fakti që ato mbeturina janë të paklasifikuara, lloj- lloj që në mënyrë kategorike nuk mund të digjen në ambiente të hapura.

Për këtë arsye ishin edhe inceneratorët që nuk funksionojnë, ndaj u gjet mënyra kriminale e djegies së mbetjeve në ambiente të hapura. Se çfarë ka në tym toksik, përveçse e them unë, e kanë thënë studime të shumta të toksikologjisë së mjedisit , së toksikologjisë së ajrit. Aty bëhet fjalë për shkarkesa të jashtëzakonshme të dioksinave, toksinat më të rrezikshme , të furaneve, të metaleve të rënda, të plumbit, arsenikut, zhivës, poliklofenileve, që nuk kanë vetëm komponentin e ajrit por një pjesë e këtyre ndotëse janë depozituar në tokë, kanë depozituar në ujërat nëntokësore e do të dalin në ujërat e puseve, ujësjellësve e kullotave. Pra bëhet fjalë për një dëm të jashtëzakonshëm të tokës, ujërave nëntokësore dhe ushqimit.”