DASH: Fytyra e propagandës së Kremlinit, Margarita Simonyan

Departameti Amerikan i Shtetit në buletinin e tij "Fytyrat e propagandës së Kremlinit" ka demaskuar Margarita Simonyan si një nga fytyrat kryesore të propagandës dhe dezinformimit të Presidentit rus Vladimir Putin, si ndërkombëtarisht ashtu edhe brenda Rusisë.

Sipas DASH, ajo është e aftë t’i shërbejë gënjeshtrat si të vërteta - dhe me një buzëqeshje.

Margarita Simonyan e filloi karrierën e saj në mediat e financuara dhe të kontrolluara nga Kremlini në vitin 2001 si gazetare për Televizionin Shtetëror të Rusisë dhe Kompaninë Transmetuese të Radios (VGTRK).

Në vitin 2005, ajo u bë kryeredaktore e medias së parë ruse në gjuhën angleze të financuar nga shteti, RT, e njohur më parë si Russia Today.

Ajo ruan pozicionin e saj në RT ndërkohë që shërben njëkohësisht si kryeredaktore e Rossiya Segodnya, kryeredaktore e TV-Novosti dhe bashkëthemeluese e Shoqatës për Zhvillimin e Gazetarisë Ndërkombëtare.

Pavarësisht posteve të shumta që mban, funksioni i saj kryesor është propagandistja më besnike e Vladimir Putinit.

Një jetë me gënjeshtra

Gjatë gjithë karrierës së saj, Simonyan ka mbështetur axhendën e Kremlinit duke shpërndarë dezinformata dhe propagandë. Para se të bëhej kryeredaktore e RT, Simonyan punonte në grupin e gazetarëve të Kremlinit që mbulonin Presidentin Putin.

Ajo u bë e famshme pasi raportoi për sulmin terrorist në shkollën e Beslan në vitin 2004 në Kaukazin e Veriut.

Kanali në YouTube i liderit të opozitës ruse, Aleksey Navalny, i cili aktualisht ndodhet në një burg të sigurisë maksimale pas dënimeve të motivuara politikisht, e akuzoi Simonyanin se gënjeu qëllimisht gjatë transmetimeve të saj në Beslan, në mënyrë që t'i shërbente prioriteteve të Kremlinit.

Pavarësisht se autoritetet ruse e dinin të vërtetën, Simonyan nuk përmendi faktin se terroristët thanë se do t’i lironin pengjet nëse ushtarët rusë largoheshin nga Çeçenia - dhe e raportoi më të vogël, numrin e pengjeve.

Kremlini më pas e shpërbleu Simonyan duke e emëruar drejtuesen e medias së parë ruse në gjuhën angleze të financuar nga shteti, RT (atëherë e quajtur Russia Today), kur ajo ishte vetëm 25 vjeçe.

Për vite me radhë, Simonyan ka shprehur hapur mbështetjen e saj për dezinformimin dhe propagandën.

Në një intervistë të vitit 2012 që mbulonte punën e RT gjatë pushtimit rus të Gjeorgjisë në vitin 2008, ajo deklaroi, "Ministria e Mbrojtjes ishte në luftë me Gjeorgjinë, dhe ne zhvilluam një luftë informacioni dhe me të gjithë botën perëndimore".

Në një intervistë të vitit 2013, ajo tha, “arma e informacionit, natyrisht, përdoret në momente kritike dhe lufta është gjithmonë një moment kritik. Dhe është luftë. Është një armë si çdo tjetër.”

Megjithëse Simonyan pretendon të jetë gazetare, ajo mbështeti haptazi, mosndalimin e censurës mbi median në Kushtetutën ruse, duke deklaruar se "asnjë vend i madh nuk mund të ekzistojë pa kontroll mbi informacionin".

Pavarësisht mosmiratimit të saj ndaj të ashtuquajturave vlera perëndimore, si respekti për lirinë e fjalës dhe lirinë e shprehjes, slogani i RT-së është “më shumë pikëpyetje” dhe tenton ta paraqesë veten si një zë kundërshtues.

Simonyan e forcoi rolin e saj si një furnizuese pjellore e dezinformatave të Kremlinit kur Rusia pushtoi më tej Ukrainën.

Para shkurtit të vitit 2022, si dezinformatorët e tjerë të Kremlinit, ajo mohoi se Rusia do të ndërmerrte veprime ushtarake kundër Ukrainës, duke pretenduar se ishte "absolutisht e bindur se Rusia nuk do të nisë një luftë me Ukrainën dhe kjo nuk do të ndodhë në asnjë mënyrë".

Që nga pushtimi i plotë i Rusisë më 24 shkurt, Simonyan e ka shtuar gjuhën e saj luftarake, duke thënër dy herë se Rusia mund të përdorë armë bërthamore.

Në qershor të vitit 2022, Simonyan nënkuptoi se Kremlini dëshironte pasiguri ushqimore globale, kur ajo e mbylli një temë me fjalët "e gjithë shpresa jonë është te zia e bukës".

Ajo pohoi se rezultat pozitiv i urisë globale do të ishte heqja e sanksioneve globale ndaj Rusisë.

Kremlini vazhdon të përhapë dezinformata në lidhje me pasigurinë ushqimore, duke dënuar sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për luftën kundër Ukrainës, edhe pse sanksionet e SHBA përfshijnë marrëdhëniet me transaksionet bujqësore, mjekësore dhe të tjera humanitare.

Dezinformimi i Kremlinit – histori e njohur

Dezinformimi dhe propaganda e Putinit është një biznes fitimprurës, dhe jo vetëm për Simonyan.

Në vitin 2020, Navalny dhe ekipi i tij publikuan një hetim dypjesësh mbi përfitimet financiare të korruptuara të Simonyan dhe familjes së saj.

Një nga hetimet u fokusua në bashkëshortin e Simonyan, Tigran Keosayan, i cili është gjithashtu në biznesin e dezinformimit dhe propagandës.

Që nga viti 2016, Tigran Keosayan ka drejtuar një shfaqje televizive komedi politike të emërtuar "International Saëmil ëith Tigran Keosayan", e cila është prodhuar në stilin e komedisë politike televizive amerikane të natës së vonë.

Në vend që të tallet me qeverinë, komedia e Keosayan mbështet Putinin. Sipas hetimit të Navalny, Simonyan është drejtoresha artistike e shfaqjes televizive./ar/sh/SYRI.NET