Shehu: ‘Open Balkan’, projekt serb! Rama po mbron Vuçiçin duke larguar Shqipërinë nga BE!

Deputeti demokrat Tritan Shehu komentoi në edicionin e pasdites në Syri Tv samitin e fundit të 'Ballkanit Perëndimor' të mbajtur në Beograd, ku i pranishëm ishte kryeministri Edi Rama. Sipas Shehut, kemi të bëjmë me një marrëveshje mes palëve për të krijuar një front të përbashkët Rama-Vuçiç.

"Front që synon sfumimin e pavarësisë së Kosovës dhe t’i hapë rrugë një procesi që ka për qëllim të vendosi hegjemoninë serbe në rajon, ekonomike dhe politike, duke i dhënë kësaj nisme një karakter politik."-tha Shehu.

Demokrati u shpreh se 'Open Balkan' na largon nga Bashkimi Europian ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama duke mbrojtur Vuçiçin konfuzon partnerët.

"Pozicion kundër BE-së me këtë nismë që mori disa dimensione. S'mund të lihet pa theksuar se në samit u hodhën ide për të dalë nga koncepti i Ballkanit Perëndimor. Dalja të fut në pikëpyetje të mëdha historike për integrimin europian.

Ka një përpjekje për të dalë nga Ballkani Perëndimor pasi u deklarua qartësisht që të hiqet dorë nga terminologjitë Ballkani Perëndimor, Ballkani është një i tërë. Fut procesin tonë të integrimin në situatë të rrezikshme dhe rrezikon bllokimin."-deklaroi Shehu.

Më tej Shehu tha se Rama goditi fort BE-në duke e denigruar ndërsa shtoi se kreu i qeverisë i referohet si model mbështetës Kinës e Rusisë.

“Mënyra si e denigroi këtë radhë ishte shumë e egër. Modele të Kinës e Rusisë, Rama iu referua si modele mbështetëse. Vizioni i tij dhe rruga e tij për Ballkanin është një rrugë tjetër.

Ky samit ka një bosht anti-perëndimor që kërkon të kthejë fytyrën e rajonit tonë nga perëndimi drejt lindjes. Dhe fut Shqipërinë në udhëkryq të madh.”-tha Shehu.