Vrau vëllanë dhe kunatën, dy gratë e Muskurtit kërkojnë urdhër mbrojtje, Gjykata refuzon kërkesën

Gruaja me 6 fëmijë dhe e dashura me një fëmijë e Arsen Muskurtit kanë paraqitur kërkesë për urdhër mbrojtje në Gjykatë. Pas krimit të rëndë, ato u strehuan në një qendër sociale pasi kishin frikë për jetën e tyre për një hakmarrje të mundshme. 

Gjykata e ka refuzuar këtë kërkesë pasi sipas tyre nuk ka të dhëna të mundshme për kërcënim. 

38-vjeçari Arsen Muskurti vrau më 30 gusht Alban dhe Nora Muskurtin brenda biznesit të tyre, pas konflikteve të vazhdueshme për pronat. Muskurti u la në arrest me burg nga Gjykata e Tiranës. Ndaj tij janë ngritur dy akuza: “Vrasja në rrethana cilësuese” kundër dy ose më shumë personave dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Avokati i Arsen Muskurtit, deklaroi një ditë më parë se autori i krimit të rëndë në të vërtetë është vetëdorëzuar dhe jo arrestuar, siç u deklarua nga Policia e Shtetit. Në një prononcim për mediat, ai tha se bashkë me Muskurtin kanë shkuar bashkë në ambientet e komisariatit, ndërsa armën e krimit e kishte me leje.