Berisha: Shqipëria po zien, Rama po e shndërron vendin në çifligun e tij

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi sot në mbledhjen e kryesisë së PD, se urrejtja ndaj qeverisë po bëhet e papërmbajtshme.

“Ne mblidhemi sot pas një vere shumë të nxehtë, e cila vazhdon me temperaturat e larta të saj, në shpirtin dhe mendjen e qytetarëve shqiptarë. Sot, Shqipëria po zien, Tirana po vlon. Pakënaqësia dhe urrejtja ndaj këtij regjimi po bëhet gjithnjë e më e papërmbajtur, gjithnjë e më e madhe. Kjo është plotësisht e ligjshme, sepse çdo ditë e më e papërmbajtur bëhet makineria e vjedhjes dhe e plaçkitjes nga regjimi me në krye Edi Ramën i qytetarëve shqiptarë”.

“Sot, për fat të keq, institucionet e këtij shteti të mafies, janë shndërruar në sera që përgatisin hajdutë zyrtarë. Kur e them këtë, e them jo për të injoruar që në administratën shtetërore ka njerëz të ndershëm, por e vërteta është se qindra e qindra firma që hidhen në dokumente, është e pamundur të gjesh qoftë edhe një që është në përputhje me ligjin dhe transparencën. Kjo ndodh sipas një ligji të njohur: kur kryeministri vjedh, vjedhja shndërrohet në sistem. Kur kryeministri del mbi ligjet, të tjerët me vrap i mbikalojnë ato,” tha Berisha.

“Kështu që e transformuar në një makineri gjigante vjedhje, asnjë ligj dhe institucion nuk e ndalon më këtë makineri. Vjedhja e pronës publike, kulmon me aferat gjigante të Portit të Durrësit dhe Parkut të Butrintit. Vjedhja e qytetarëve me çmime të prokurimeve publike bëhet gjithnjë e më e madhe. Rrugët po ndërtohen me çmime tetë herë më të larta, dhjetë herë më të larta se çmimet e bazuara në manualet e ndërtimit të BE-së. Nuk ka ligj, nuk ka manual, nuk ka asgjë që mund të ndalojë Edi Ramën dhe grupin e tij në vjedhjet e papërmbajtura. Edi Rama po e ndërron Shqipërinë, fund e krye si çifligun e tij”.