Unë për vete kam qenë mirë

Nga Elona Caslli/

Fjalia që na mban peng si popull që u ngjiz në errësirën prej gjysmë shekulli në ndërgjegjen e Njeriut të Ri dhe që vazhdon ende sot është- Unë për vete kam qenë ose jam mirë.".

Kam lexuar shpesh fjalinë - Unë për vete kam qenë mirë në diktaturë. Nuk mund ta shaj atë sistem.

Sa herë që përballem me këtë fjali, mbetem e shtangur. Mbetem e shtangur pasi nuk arrij të kuptoj se si mund të ndihet mirë një njeri në diktaturë. Arrij të kuptoj që individët që e shkruajnë apo e thonë këtë fjali, me mirëqēnie nënkuptojnë faktin që nuk kanë qenë të persekutuar, që kanë pasur një të drejtë studimi dhe që kanë punuar në një institucion të caktuar.

Është tragjike ta lexosh ende këtë fjali në vitin 2022 dhe njëkohësisht lind pyetja- A mund të vlerësohet cilësia e një regjimi nisur nga interesi personal?!

Unë kam qenë mirë dhe ndaj regjimi ka qenë i mirë. Gjithçka rrotullohet te vetja. Për asnjë çast mendimi apo gjykimi nuk kapërcen vetveten. Për asnjë çast gjykimi nuk shkon te mijëra jetë të shkrumbuara në internim apo në pushkatim. Jo. Regjimi është mirëqënia ime. Regjimi fillon dhe mbaron te interesi im.

"Unë për vete jam mirë" është fjalia që përdoret ende sot nga një kategori e caktuar shqiptarësh. " Unë jam mirë" dhe nuk më bën përshtypje hiç kullëzimi i një qyteti dhe shkatërrimi përfundimtar i tij.

Do të ishte një shkallë e lartë rritjeje për ne si shoqëri, sikur një pedagog, gazetar, apo shkrimtar që mbështet Partinë Socialiste të dilte me një qëndrim përballë Erion Veliajt dhe të thoshte- Ke premtuar zero ndërtime dhe ke kullëzuar një qytet të tërë.

Kryeqyteti i shkatërruar u përket të gjithë shqiptarëve. Zhdukja e qendrës historike është një minus i madh për të gjithë shqiptarët, por për fat të keq fjalia " Unë jam mirë" provokon heshtje dhe vetëm heshtje.

Si në rastin e diktaturës edhe sot fjalia - Unë jam mirë- përdoret me një denduri të frikshme.

Post Scriptum- Amnistohet shkatërrimi i një kryeqyteti nën alibinë e mirëqënies personale duke harruar se fatura e gjysmë shekulli diktaturë u pagua shtrenjtë nga ky komb, sikundër do të paguhet shtrenjtë fatura e diktaturës moderne.