Washington Post: Kim loboi te Rama për afganët; Biden e DASH e refuzojnë

Washington Post i ka kushtuar një artikull evakuuimit të refugjatëve afganë, duke u ndalur tek ata që u strehuan në Shqipëri. Duke nënvizuar faktin se afganët presin që të shkojnë në Shtetet e Bashkuara, theksohet se rreth 2500 refugjatë u strehuan në vendin tonë.

“Shumë telefonuan Ramën. Brenda pak muajsh, Shqipëria kishte marrë rreth 2500 afganë. Organizatat evakuuese prisnin që Shqipëria të ishte një ndalesë, një platformë e përkohshme uljeje, ndërsa të evakuuarit do të përpunoheshin për rivendosje të përhershme në Shtetet e Bashkuara, thanë përfaqësuesit e shoqatave në intervista”, shkruan WP.

Më tej nënvizohet se, Rama, i cili fillimisht kishte thënë se Shqipëria do të shërbente si “vend tranziti për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë që kanë Shtetet e Bashkuara si destinacionin e tyre përfundimtar”, tha më vonë se nuk kishte kurrë një afat kohor të rënë dakord për ato nisje.

Por ai vendosi që herët se nuk do t’i akomodonte në një kamp refugjatësh. Ai donte t’u jepte dinjitet dhe qetësi, tha ai. Ai donte t’u jepte atyre “atë që ne donim kur ishim afganë një herë e një kohë”.

Ata u strehuan në hotelet pranë plazhit në Shëngjin. Por një prej resorteve që priti një numër të konsiderueshëm afganësh thotë se i kanë një borxh prej 2 milionë dollarë.

Por nga ana tjetër, një zyrtar i Departamentit të Shtetit ka deklaruar se “Qeveria e SHBA-së nuk ka asnjë përgjegjësi për këta njerëz”.

Administrata e Biden thotë se nuk i inkurajoi kurrë grupet amerikane që të çonin njerëzit e tyre në Shqipëri dhe se ajo dërgoi një mesazh të qartë vjeshtën e kaluar se çdo ent privat që evakuon afganët do të mbante përgjegjësi për ta dhe se afganë nuk do të kishin një rrugë të garantuar për në Shtetet e Bashkuara, shkruan WP.

Më tej thuhet se për të evakuuar afganët, u kontaktuan ambasadorët. Prej atyre që iu kërkua bashkëpunim ishte edhe ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim.

Kongresmenia Slotkinin i tha ambasadores Kim: “Yuri, duhet të më ndihmosh këtu. Unë kam afganë. Dëgjoj se Shqipëria është e gatshme t’i marrë ata".

Ambasadorja e lidhi Slotkinin me Ramën. Slotkin bashkëpunoi me ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare H.R. McMaster për të rregulluar evakuuimin e afganëve në Shqipëri.

Kujtojmë se Kim i priti afganët vetë në Tiranë dhe u uroi mirëseardhjen në emër të qeverisë amerikane. Tani kjo e fundit thekson se nuk ka lidhje me afganët dhe se nuk do paguajë asnjë cent për ta.