Afganët e pakërkuar/ Manjani: A flet Yuri Kim në emër të DASH, apo jo?!

Analisti Ylli Manjani ka ngritur dyshime të forta mbi pozicionin e ambasadores amerikane Yuri Kim në Shqipëri, e cila garanton rregullisht se flet dhe vepron në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Dyshimet janë ngritur sidomos pas lajmit të publikuar së fundi në shtypin amerikan se DASH nuk ka asnjë detyrim ndaj refugjatëve amerikanë të strehuar në Shqipëri, por janë organizata të caktuara që e kanë marrë përsipër sigurinë dhe të ardhmen e tyre.

“Paralel me debatin për instalacionin e drurit, produkt sëmundje psiqike që kërkon mjekim të detyruar, - shkruan sot Ylli Manjani, - më mbeti mendja tek një lajm, sipas të cilit DASH nuk ka sjellë afganë në Shqipëri dhe se nuk paguan asnjë cent për ta. Uau! Uau! Uau!

Me tej lajmi saktëson deklarimet e dikujt aty në DASH, se afganët i paska sjellë një NGO dhe jo shteti amerikan. Uau!

Mirë të tjerat, se jemi mësuar të na mashtrojë Edi Rama, po Yuri Kim që i priti në avion "alo, jam ambasadorja e SHBA", pse mashtroi?! Nëse nuk i ka sjellë DASH, përse Yuri Kim u doli për zot, madje na tha se "punë muajsh janë dhe do t’u japim viza për në Amerikë"?!

Me porosi të kujt i lëshoi ato fjalë premtimi, se DASH thotë se nuk u del për zot?! Tani flet apo jo në emër të DASH-it, ambasadorja?! Apo vetëm kur urdhëron PD-në që të hajë bar, e ka nga DASH!!!

Domethënë, objektivi kryesor i diplomacisë amerikane na qenka eleminimi i PD-së?! Vetëm për këtë merr udhëzime zonja Kim, për të tjerat flet për hesap të vet?! Kështu i bie, apo jo?

Rasti i strehimit të afganëve, të pakërkuar nga shteti amerikan, është zënie në flagrancë e një ambasadore që punon de facto, ministre e propagandës së qeverisë.

Ndërkohë 2 milionë dollarë qenka fatura deri tani për t'u paguar tek fjetinat e resortit...

Nuk e kuptoj, pse detyrohen të gënjejnë kur kanë çdo gjë në dorë?! Për më tepër që askush nuk po u bënte rezistencë në atë operacion strehimi të afganëve. Pse gënjyen?!” e mbyll me habi, shënimin e tij Manjani.