Syri.net siguron videon e vrasjes në Tiranë, momenti kur Muskurti futet në agjenci dhe vret vëllain e kunatën

Syri.Net ka siguruar videon nga momenti kur Arsen Muskurti shkon në agjencinë turistike të vëllait dhe kunatës së tij, Dritan dhe Nora, të cilët i vret me gjakftohtësi maksimale. Në pamjet e siguruara, Arsen Musarati duket teksa nxjerr armën në hyrje të biznesit të të vëllait pasditen e kësaj të marte.

Pak sekonda më pas në dyqan janë futur fqinjët të cilët kanë dëgjuar të shtënat me armë duke parë 2 viktimat të shtirë në tokë. Kjo agjenci dyshohet të jetë edhe shkak i kësaj vrasjeje. Dy vëllezërit kanë qenë ortakë në agjencinë turistike, por më pas ishin ndarë dhe kjo ndarje e biznesit dyshohet se ka qenë dhe shkaku i konfliktit.

Mirëpo ky nuk ishte konflikti i vetëm, pasi autori me anë të statuseve në rrjetet sociale i akuzonte 2 viktimat se kishin krijuar profile false për të sharë hoxhallarët, gjë që për autorin ishte e papranueshme.

Ai ishte predikues i fesë islame, teksa për arrestimin e tij shkoi edhe RENEA për shkak se kishte dyshime që ishte radikal dhe përbënte rrezikshmëri për persona të tjerë. 

Arsen Musarati u kap nga autoritetet në zonën e ‘5 majit’ nën shoqërinë e bashkëshortes rreth 2 orë pas ngjarjes. Ngjarja ndodhi pasditen e kësaj të marte rreth orës 16:40, në rrugën "Islam Alla", afër ‘Myslym Shyrit’, një prej zonave më të frekuentuara në kryeqytet, ndërsa autori nuk ishte një person i panjohur. Ai është biznesmen, pronar i dyqaneve të ‘Natyral Vita’, një biznes i cili sipas burimeve kishte pasur kohët e fundit probleme financiare.