Përleshje të përgjakshme në Bagdad pas largimit një prej liderëve kryesorë në Irak, dhjetra viktima

Të paktën 23 persona janë vrarë gjatë luftimeve të përgjakshme në kryeqytetin e Irakut, pas vendimit të një prej liderëve kryesorë në vend për t’u larguar nga politika.

Të shtëna me armë zjarri dhe raketa shpërthyen në Bagdad ndërsa mbështetësit e klerikut mysliman shiit Moqtada al-Sadr u përleshën me forcat e sigurisë dhe milicitë e lidhura me Iranin.

Sadr u ka kërkuar mbështetësve të tij të largohen nga godina e parlamentit, ku ata kanë protestuar prej javësh.

Dhuna filloi të hënën pasi Sadr, një nga figurat më me ndikim të Irakut, tha se po tërhiqej nga jeta politike, pas krizës për formimin e qeverisë.

Aleanca e tij fitoi shumicën e vendeve në zgjedhjet e tetorit të vitit 2021, por nuk mundi të binte dakord për formimin e një qeverie të re me bllokun e dytë më të madh, të përbërë kryesisht nga parti të mbështetura nga Irani.

Dikur një aleat iranian, Sadr e ka ripozicionuar veten si një nacionalist që dëshiron t’i japë fund ndikimit të SHBA-së dhe Iranit mbi çështjet e brendshme të Irakut.

Luftimet po zhvillohen midis milicisë së Sadr, të njohur si Brigadat e Paqes, milicive të mbështetura nga Irani dhe anëtarëve të forcave irakiane të sigurisë.