Intervista e bujshme, tjetër deklaratë e Meghan Markle: Ne e mërzitëm familjen mbretërore vetëm duke ekzistuar

Dukesha e Sussex thotë se ajo shqetësoi “dinamikën e hierarkisë” së familjes mbretërore “vetëm duke ekzistuar”. Në një intervistë për revistën amerikane ‘The Cut”, Meghan, 41 vjeç, flet për jetën e saj kur ishte në familjen mbretërore dhe pse ajo dhe Duka i Sussex u transferuan në SHBA. Duke folur për largimin e saj nga familja mbretërore, dukesha tha se “duhet shumë përpjekje për të falur”.

Ajo foli edhe për marrëdhënien e Princit Harry me babain e tij, Princin e Uellsit. E pyetur për ndikimin e çështjes së saj të privatësisë kundër ‘Mail’ të dielën, Meghan tha: “Harry më tha: “Kam humbur babin tim në këtë proces. Nuk duhet të jetë njësoj për ta siç ishte për mua, por ky është vendimi i tij”. Një zëdhënëse e dukeshës tha më vonë për ‘BBC News’ se Meghan po i referohej babait të saj dhe po thoshte se shpresonte të mos ndodhte e njëjta gjë me burrin e saj. Një burim i afërt me Princin Charles i tha agjencisë së lajmeve PA se do të trishtohej nëse Princi Harry do të ndjente se marrëdhënia e tyre kishte përfunduar, duke shtuar: “Princi i Uellsit i do të dy djemtë e tij”.

Princi 37-vjeçar ka thënë më parë se babai i tij, Princi Charles, “i ndaloi telefonatat me mua” pasi çifti u tërhoq prej familjes mbretërore në vitin 2020. Sipas marrëveshjes, çifti hoqi dorë nga titujt e tyre të Lartësisë Mbretërore duke u bërë financiarisht i pavarur.  Përpara kësaj, Sussex-ët thuhet se parashtruan një vizion për të vazhduar punën mbretërore në Commonwealth dhe për të fituar paratë e tyre, me shpresën se kjo do të reduktonte “zhurmën” rreth tyre. Meghan tha për ‘The Cut’: “Kjo, për çfarëdo arsye, nuk është diçka që ne na lejohej ta bënim, edhe pse disa anëtarë të tjerë të familjes bëjnë pikërisht atë gjë”.

Pasi njoftuan se do të tërhiqen nga detyrat mbretërore, Princi Harry dhe Meghan fillimisht u zhvendosën në Kanada në janar 2020. Por, pasi Kanadaja tha se do të ndalonte sigurimin e familjes, ata u zhvendosën në Kaliforni, ku jetuan në një shtëpi të siguruar nga Tyler Perry përpara se të blinin shtëpinë e tyre në Montecito. Meghan është dinamit mediatik, kështu që një intervistë mjaft e butë, me disa komente të hapura për interpretim, po bën xhiron e rrjetit. Për fansat e saj, ishte një pjesë tjetër e presioneve të padrejta të jetës mbretërore që detyruan Meghan dhe Harry-n të shpërngulen në Kaliforni. Për kritikët e saj, ishte më shumë vetëpromovim mashtrues.

Por intervista trajtoi edhe disa nga kontradiktat me të cilat përballen Harry dhe Meghan. Ata donin të largoheshin nga jeta mbytëse mbretërore, por lidhjet e tyre mbretërore janë pasuria e tyre më e vlefshme. Si rockerët e vjetër që nuk duan të flasin për këngët e tyre të hershme, kur kjo është e vetmja arsye që njerëzit janë të interesuar. Ata gjithashtu donin t’i shpëtonin ndërhyrjes mediatike dhe në fakt janë bërë pjesë e medias, me marrëveshje me Spotify dhe Netflix. Dhe Harry shprehu dilemën e përhershme mbretërore: “Nëse bën diçka, ata të kritikojnë. Nëse nuk bën asgjë, ata të kritikojnë gjithsesi.”