Berisha: BE i njeh Portit të Durrësit një rol strategjik, Brukseli duhet të hetojë mega-aferën e Ramës

Kryetari demokrat, Sali Berisha, doli në një konferencë për shtyp për mega-aferën e Portit të Durrësit.

Berisha tha se Bashkimi Europian i njeh këtij porti një rol strategjik dhe të rëndësishëm në rajon dhe më gjerë.

Për këtë arsye, Berisha tha se Brukseli duhet të hetojë mega-aferën e Ramës, që synon zhdukjen e këtij porti.

“Në shekuj dhe mijëvjeçarë, Porti i Durrësit i ka dhënë Shqipërisë, rolin më të rëndësishëm dhe strategjik në rajon. Komisioni i Transportit të BE e përcakton Portin e Durrësit, së bashku me Portin e Tivarit, si njërin nga dy portet të rëndësisë strategjike për BE-në, çka do të thotë për rajonin dhe transportin në kuadrin e kësaj hapësire.

Por Edi Rama, pa asnjë konsultë paraprake, me qytetarët e Durrsit, me grupe interesi dhe asnjeri tjetër përveç xhepit dhe llogarive të tij, po e shndërron portin e Durrësit në Dubain e familjes së tij.

Afera e Portit të Durrësit gjer sot është afera korruptive më gjigante në Europë,” tha Berisha.

“Në këtë aferë, me pasoja të rënda strategjike për vendin, me pasoja të rënda që synojnë defaktorizimin e Shqipërisë dhe rolit të saj strategjik në transportin e BE dhe NATO, Edi Rama parashikon me makinerinë e mashtrimit të tij, investime prej 2 miliardë eurosh në marinën turistike”.

“I kërkoj BE-së të nisë një hetim rreth aferës korruptive të portit të Durrësit dhe të bëjë gjithçka që ky port të mbetet port strategjik i rajonit dhe BE-së,” tha Berisha.