Supermarket drogash/ 4 të rinj prangosen duke shkuar në Mal të Zi

Policia e Shkodrës ka vendosur në pranga 4 të rinj, që po shkonin drejt Malit të Zi dhe me vete kishin lloje të ndryshme drogash.

Bëhet fjalë për kanabis, ketaminë dhe ekstazi, të cilat të arrestuarit tentuan t’i trafikonin drejt Malit të Zi.

Të arrestuarit janë nga Shkodra, Laçi, Tirana, dhe Kuçova.

Njoftimi i Policisë së Shkodrës:

Drejt Malit të Zi me lloje të ndryshme drogash në automjet, vihen në pranga në kufi, 4 shtetas.

Finalizohet operacioni policor i koduar ‘Ekstazi’, i zhvilluar nga shërbimet e DVKM Shkodër, në bashkëpunim me DVP Shkodër.

Sekuestrohen sasi lëndësh narkotike kanabis, ketaminë dhe ekstazi, të cilat të arrestuarit tentuan t’i trafikonin drejt Malit të Zi.

Si rezultat i bashkëpunimit intensiv dhe i një pune të mirorganizuar nga strukturat e DVP dhe DVKM, Shkodër, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi, me fokus evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, u finalizua operacioni policor i koduar ‘Ekstazi’, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit:

Anton Voci, 24 vjeç, banues në Kurbin, Laç;

Ertjen Hysa, 23 vjeç, banues në Kuçovë;

Nikola Paravani, 22 vjeç, banues në Tiranë;

Enver Idrizi, 64 vjeç , banues në Shkodër.

Këta shtetas janë paraqitur në PKK Muriqan, në dalje të RSH-së, me automjetin tip ‘Benz’, me drejtues shtetasin E. I. dhe pasagjerë shtetasit A. V., E. H. dhe N. P. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në vijën e dytë për kontroll më të imtësishëm shtetasit dhe automjetin me të cilin qarkullonin.

Si rezultat i kontrolleve fizike që shërbimet e Policisë ushtruan ndaj 4 shtetasve, u gjetën sasi të ndryshme, të ndara në pako, lëndësh narkotike kanabis, ketaminë dhe ekstazi, të cilat, nga veprimet hetimore, rezulton se këta shtetas do t’i trafikonin drejt Malit të Zi.

Lëndët narkotike, së bashku me automjetin me të cilin këta shtetas qarkullonin, shuma parash dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.