Bëri shaka me shkollat fetare, arrestohet këngëtarja turke
Këngëtarja turke Gulsen është arrestuar dhe akuzuar për nxitje të urrejtjes për një shaka që ka bërë me shkollat fetare të vendit, në të cilën ishte i pranishëm edhe presidenti Rexhep Tajip Erdogan.
Gjatë një koncerti në prill, Gulsen e quajti pervers një maturant të shkollës së mesme fetare.
Ajo këmbënguli në dëshminë e saj në prokurori se ishte një “shaka mes kolegëve”.
“Një shaka që kam bërë në ambientin e punës është transmetuar nga njerëz që synojnë të polarizojnë shoqërinë. Më vjen keq që fjalët e mia u përhapën me qëllim të keq nga njerëz që duan të polarizojnë vendin tonë”, shkroi Gulsen në Instagram, duke i kërkuar falje kujtdo që u ofendua nga komentet e saj.
Ylli turk i popit është kritikuar prej kohësh nga qarqet konservatore dhe gazetat pro-qeveritare për shkak të kostumeve të saj skenike, videove muzikore dhe mbështetjes publike për komunitetin LGBT.
Gulsen ka ngritur edhe flamuj LGBT në koncertet e saj.
Kritikët thonë se arrestimi është një përpjekje e presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të konsoliduar mbështetjen përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Sipas tyre arrestimi i Gulsen ishte i paligjshëm dhe joproporcional.
“Arrestimi po përdoret si një mjet ndëshkimi”, tha Bashkimi i Odave të Avokatëve të Turqisë në një deklaratë me shkrim të premten duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Gulsen.