'Xhaminë e Et’hem Beut mund ta vizitoni lirisht pa pagesë dhe të kryeni adhurime si ndër shekuj'

Myftinia e Tiranës ka sqaruar opinonin publik se hyrja në Xhaminë e Et’hem Beut është e lirë për cilindo qytetar vendas apo të huaj që kërkon të kryejnë adhurime apo të sodisë bukuritë e saj, pra është falas, pa asnjë pagesë.

Myftinia e Tiranës ka shpjeguar se njoftimi për biletën hyrëse prej 1 euro është thjesht një ndihmesë që jepet vullnetarisht  nga ata që dëshirojnë, pa kurrfarë detyrimi.

Në njoftimin e publikuar të premten në rrjetet sociale nga Myftinia e Tiranës, thuhet:

“Sqarim për besimtarët dhe opinionin publik”

Në rrjetet sociale dhe në disa media po qarkullon kjo biletë, e lëshuar nga Myftinia Tiranë, përkatësisht stafi drejtues i Xhamisë Et’hem Beu. Sqarojmë si më poshtë vijon:

1-Besimtarët dhe gjithë qytetarët shqiptarë, që duan të vizitojnë Xhaminë Et’hem Beu mund ta vizitojnë atë lirisht, të kryejnë adhurime dhe të sodisin bukuritë e saj të rralla siç kanë bërë për shekuj.

2-Bileta në fjalë është një iniciativë e myftinisë në koordinim me operatorët turistikë, që zhvillojnë guida me turistët e huaj në kryeqytetin tonë. Ajo nuk është detyrim dhe nuk pengon vizitën në xhami. Asnjë turist nuk detyrohet ta paguajë atë, është thjesht kontribut vulnetar, gjë e cila është mirëpritur nga çdokush.

3-Duke qenë se kjo është një praktikë e njohur botërisht, Myftinia Tiranë ndërmori këtë nismë për të shërbyer si ndihmë modeste për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Xhamisë të sapo restauruar të Ethem Beut.

4-Duke marrë përgjegjësinë për moskoordinimin, njoftimin dhe sqarimin e detajuar rreth kësaj çështjeje, hedhim poshtë çdo keqinterpretim, manipulim dhe shpifje të stisur pasditen e sotme.

Ndërkohë nisma në fjalë s'ka të bëjë aspak me besimtarët, që vinë të falen në xhami. Xhamia Et’hem Beu ka qenë gjithmonë dhe është e hapur pa pagesë për të gjithë besimtarët dhe qytetarët.

Me respektin maksimal, Stafi i Xhamisë Et'hem beu.”/ar/sh/SYRI.NET