Kirurgu shqiptar, ndër 100 kokat e mençura të Zvicrës. Emërohet drejtor i Klinikës Universitare të Kardiokirurgjisë në Zurih

Doktor Omer Xhemali, është emëruar drejtor i Klinikës Universitare të Kardiokirurgjisë në Zyrih. Ky është një ndër postet më të rëndësishme në kardiokirurgjinë europiane.

Në fillesat e tij, mjeku që si gjimnazist përjetoi zymtësinë e shtypjes së shqiptarëve në Maqedoni dhe që si studenti shpëtoi luftës në Sarajevën e rrethuar, në Gjermani, shkëlqeu si student, kardiokirurg dhe kërkues shkencor.

Omer Xhemaili ka lindur në vitin 1970. Ai sot është një emër shumë i respektuar për zotërimin në shkallë të lartë të profesionit, por edhe për afërsinë e tij njerëzore me pacientët dhe kolegët.

Pasi ka mbaruar studimet e mjekësisë dhe specializimin për kardiokirurg, ka punuar një kohë të gjatë në klinika të ndryshme të Gjermanisë.

Është bashkautor i dy titujve nga fusha e mjekësisë dhe autor i mbi 100 artikujve shkencorë. Në vitin 2007 zgjidhet si autori më i mirë i një pune shkencore në Gjermani, Austri dhe Zvicër, ku edhe merr çmimin ‘Hans Borst’. Në karrierën e tij, Dr. Xhemali ka dëshmuar se mund të jetë inovativ. Në spitalin ku punon, ai ka praktikuar për herë të parë në Zvicër një metodë të re mjekësore. Pas një operacioni të valvulave të zemrës ai ka arritur ta mbyllë një prerje të vogël në zemër pa përdorur penj.

Në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë, Omer Xhemali u nis për në Sarajevë. Ai u largua nga Bosnjë-Hercegovina me një avion të mbushur plot me njerëz. ‘Nuk kishte vend për t’u ulur dhe qëndrova në këmbë gjatë fluturimit’, ka rrëfyer mjeku për një media.

Spitali Universitar i Zyrihut ka njoftuar se Omer Xhemali është emëruar drejtor i Klinikës Universitare të Kardiokirurgjisë dhe ligjërues i së njëjtës lëndë në Universitetin e kryeqytetit të Zvicrës. Ai është pjesë e këtij spitali që nga viti 2016.

Mes viteve 1993-2000 ai ishte student. ‘Si student kam punuar kamerier. Sot kur shoh njerëz që sillen keq me kamerierë, u them: Kujdes se nesër ky mund të ta operojë zemrën. Prandaj silluni mirë me kamerierë.’ ka rrëfyer mjeku.

Në vitin 2000 Omer Xhemali mori titullin ‘Doktor’ në Mjekësi. Deri në vitin 2009, në Universitetin ‘Johann Wolfgang Goethe’ të Frankfurtit, ai përshkoi rrugëtimin e tij të karrierës ku e nisi si mjek asistent, specialist, kryemjek e më pas në fushën e kirurgjisë së zemrës. Habilitimi në Gjermani dhe në disa vende të tjera europiane është provimi i nivelit më të lartë përmes të cilit fitohet e drejta për të ligjëruar në universitet.

Po atë vit, Omer Xhemali mori titullin ‘Docent Privat’ dhe u punësua si zëvendësdrejtor i Klinikës së Zemrës. Që nga viti 2009, kjo klinikë është bërë ndër më të suksesshmet në Zvicër dhe meritat kryesore i ka doktor Omer Xhemali, i cili ka kryer me qindra operacione të suksesshme.

Nga viti 2018 ai është shef i Klinikës së Zemrës në Spitalin Zyrihut (Triemli). Për të kuptuar rëndësinë e pozicionit duhet shikuar pak në historikun e institucionit dhe në biografitë e paraardhësve të tij në Klinikën Universitare. Në vitin 1961 ishte kirurgu i famshëm suedez Åke Senning. Vite më parë Senning kishte zbuluar bashkë me mentorin e tij të kirurgjisë Clarence Crafoord makinën e parë për qarkullim ekstrakorporal. Shpjeguar thjeshtë, një makinë që e zëvendëson funksionin e zemrës dhe mushkërive. Me ndihmën e kësaj makine Crafoord më 1954 kreu operacionin e parë në zemër të hapur në Europë. Në këtë institucion, Åke Senning më 1969 kreu dy transplantimet e para të zemrës në Zvicër. Senning ishte një vizionar i madh. Në vitin 1958 ai zbuloi, bashkë me një inxhinier të elektroteknikës, pejsmejkerin e implantueshëm të zemrës. Specialistë të tjerë të njohur të zemrës kanë qenë edhe gjermani Andreas Roland Grüntzig dhe kroati Marko Turina.

Omer Xhemali tregon se momenti kur vendosi të bëhej mjek ishte kur sapo kishte mbushur 9 vjeç: ‘Më vdiq gjyshja nga zemra dhe ishte e dhimbshme të shohësh familjen e cila e kishte të pamundur ta ndihmonte’.

Në mur mban të varur një portret të bukur të Nënë Terezës. Pacientët e doktorit, pas operacionit, dërgojnë pa fund letra të përzemërta falënderimi.

Në një video që kanë shpërndarë spitalet e Zyrihut prezantohet një ditë pune e Dr. Xhemalit. Ai tregon për organizimin e punës gjatë një operacioni në zemër, menaxhimin e ekipit të mjekëve dhe ndihmësve, atmosferën miqësore të ekipit të tij të punës dhe në fund, kurorëzimin me sukses të operacionit.

Për më tepër mund të shikoni videon në vazhdim.