Përqeshi Barçën kur i ra në shortin e Champions-it, Oliver Kahn iu përgjigjet akuzave me tërbim

Bayern Munich dhe Barcelona nuk janë përballur ende në Evropë këtë sezon dhe duelet që do të luajnë duket se do të jenë disi të nxehta. Mbrëmë u hodh shorti i Champions League, faza e grupeve, dhe shihet portieri legjendar gjerman i skuadrës bavareze, Oliver Kahn, gjoja duke buzëqeshur kur gogla doli për skuadrën “culé”. Barcelona u inkuadrua në grupin C së bashku me skuadrën gjermane, Interin dhe Viktoria Pilsen.

Sipas gazetës ‘SPORT’, Oliver Kahn është tallur me skuadrën e drejtuar nga Xavi Hernández kur doli gogla që lidhi Barçën me grupin e Bayernit. Ky akt cilësohet si një “reagim i pazakontë nga një person që ka marrë pjesë në short, respekti i të cilit është normë”.

Përballë kësaj akuze, Oliver Kahn donte të jepte versionin e vet përmes ‘BILD’: “Ky interpretim ka ardhur krejtësisht nga hiçi. Robert Lewandowski na la vetëm pak javë më pare për Barcelonën, tani shorti na rikthen bashkë në fazat e grupeve të Ligës së Kampionëve. Buzëqesha ishte për këto gjëra të rralla të futbollit. Kam respektin maksimal për Robert dhe Barcelonën, këto ndeshje do të jenë festë për tifozët e të dyja skuadrave dhe tifozët e futbollit në përgjithësi”.

Bayern Munich e starton si favorit grupin C, i cili konsiderohet si ‘grupi i vdekjes’, pasi në të bëjnë pjesë dy skuadra të mëdha evropiane: Barcelona dhe Inter. Viktoria Pilsen është rivalja më e përballueshme, edhe pse në Champions League shpesh ka të papritura. Këto janë deklaratat nga skuadra gjermane, të raportuara nag ‘Kicker’ në lidhje me shortin e fazës së grupeve.

Julian Nagelsmann – “Është një grup shumë kërkues dhe plot sfida. Interi është forcuar sërish mirë. Klubi zikaltër tashmë ka festuar shumë suksese ndërkombëtare dhe ka rifituar fuqinë vitet e fundit. Me Barcelonën, sigurisht, historia me Lewy tashmë është e përshkruar. Shpresoj që të arrijmë rezultate të ngjashme me ato të viteve të fundit kundër Barçës. Pilsen është kampion i Çekisë. Mezi presim të fillojmë”.

Manuel Neuer – “Barcelona dhe Interi, këto do të jenë pikat kryesore tashmë në fazën e grupeve. Dy klube të mëdha, me dy stadiume të shkëlqyera. Është mirë që ne festojmë një ribashkim me Robert Lewandowski kaq shpejt. Objektivi ynë është qartë të arrijmë në raundin tjetër. Nuk duhet të nënvlerësojmë as Pilsen”.

Hasan Salihamidzic – “Barcelona dhe Interi janë vërtet të fortë. Sigurisht që ne jemi favoritë kundër Pilsen. Do të jenë ndeshje emocionuese. Ne e marrim finalen kundër Villarrealit si një mësim nga sezoni i kaluar. Janë gjithmonë të njëjtat klube favoritë për titull; Real Madridi si kampion në fuqi, Manchester City dhe PSG, gjithashtu Barcelona, ​​sepse katalanasit janë forcuar me Lewandowskin. Edhe ne, natyrisht”.