VIDEO-SYRI TV/ Lamtumira për Jorgaqin, nga porosia e fundit te ‘Tomka dhe shokët e tij’ dhe dorëshkrimi i pabotuar

Nga SYRI TV

I është dhënë lamtumira shkrimtarit dhe skenaristit Nasho Jorgaqi. Homazhet në nder të shkrimtarit u mbajtën në Akademinë e Shkencave, ku familjarët, miqtë dhe kolegët kujtuan veprimtarinë e ndritshme të tij në letërsi e kinematografi.

Jovan Bizhyti, miku i një jete në një intervistë për Syri Tv, zbuloi porosinë e fundit të shkrimtarit, historinë nga mori jetë skenari i filmit “Tomka dhe shokët dhe tij”, ndërsa u ndal edhe te dorëshkrimi i fundit i Nasho Jorgaqit, “Kujtimet e një jete”, që mbeti i papërfunduar.

I trishtuar thellë nga ikja e shokut të një jete Jovan Bizhyti shprehet: Ai jo vetëm ishte një shok i mirë dhe i komunikueshëm, ishte një njeri që kur bisedoje me të merrje dhe këshilla të vlefshme sepse ishte njeri i përgatitur, me kulturë, i dashur dhe i ëmbël në muhabet.

Nasho Jorgaqi jetoi deri në fund i lirë, ashtu siç dëshiroi të ishte dhe krijimtaria e tij artistike, ndaj porosia e fundit e shkrimtarit për mikun e tij qe njohja e vendeve, kur shkruhet për historinë. 

"Veprat historike që duhet të shkruash, duhet t'i shkelësh, t'i njohësh, sepse Nashua vetë librat e tij që ka shkruar i ka parë me sytë e tij, i ka prekur me dorën e tij."-tha Bizhyti.

Skenari i filmit "Tomka dhe shokët e tij" u frymëzua nga imazhi i debatikut të luftës, me të cilin Jorgaqi kishte bashkëpunuar.

"Tomka ka qenë debatikas i kohës së luftës dhe Nashua tregonte që ka bashkëpunuar, na organizonte që ndanin jo trakte në kohën e luftës, ai u vra në luftë. Edhe unë thotë Nashua, tani pas disa vitesh sigurisht në kujtim të tij thotë unë u frymëzova dhe bëra skenarin e filmit 'Tomka dhe shokët e tij', ku është brenda shoku i tij, por dhe vetë Nashua."-tha Byzhyti.

Shkrimtari kishte nëpër duar dy dorëshkrime.

"Ka lënë kohët e fundit nëpër duar volume të tjera, të papërfunduara, ka lënë pa përfunduar kujtimet e jetës së tij."-tha Byzhyti.

Njohës i mirë i veprës së Nasho Jorgaqit, përkthyes Ilir Mborja, përcjell mesazhin e mbesës së Fan Nolit, për të cilin shkrimtari pat shkruar një autobiografi: 

"Udhëtim të mbarë drejt dritës së përjetësisë, ju faleminderit për udhëtimin që bëmë për te Fan Noli ynë, do të jesh një tjetër yll për mua në gjithësi, ngushëllime të përzemërta familjes suaj, motra juaj Ksanthi."deklaroi Mborja.

Humbjet janë thjesht fizike. Nasho Jorgaqi do të jetë përgjithmonë gjallë përmes pasurisë së çmuar letrare dhe skenarëve të filmave.