Thatësira në Francë çon në vjeljen më të parakohshme të rrushit që ka ndodhur ndonjëherë

Bordo, Francë - Peizazhi në vreshtat prestigjioze të Bordeaux duket njëjoj, me rrush të shëndetshëm dhe të pjekur që varet nga rreshtat e rëndë të hardhive të gjelbra.

Por këtë vit diçka është krejtësisht e ndryshme në një nga rajonet më të famshme të verërave të Francës dhe pjesë të tjera të Evropës.

Vjelja që dikur fillonte në mes të shtatorit, tani po ndodh më herët se kurrë - në mes të gushtit - si rezultat i thatësirës së madhe dhe përshtatjes së industrisë së verës ndaj efekteve të paparashikueshme të ndryshimeve klimatike.

Në mënyrë paradoksale, sezoni i valëve të të nxehtit dhe zjarreve të egra prodhoi rrush të shkëlqyer, pavarësisht rendimenteve më të ulëta.

Por arritja e një vjeljeje të tillë kërkonte ndryshime krijuese në teknikat e kultivimit, duke përfshirë krasitjen e hardhive në një mënyrë tjetër dhe ndonjëherë ujitjen e tyre në vendet ku ujitja zakonisht është e ndaluar. Dhe prodhuesit në të gjithë Evropën që kanë parë nga radha e parë, efektet e ngrohjes globale janë të shqetësuar për atë që pritet të vijë më pas.

Deri më tani, “ngrohja globale është shumë pozitive. Ne kemi pjekuri më të mirë, ekuilibër më të mirë. Por nëse shohim të ardhmen dhe nëse rritet temperatura me një gradë më shumë, plus, do të humbë pjesa e freskisë në ekuilibrin e verës”, tha Fabien Teitgen, drejtor teknik i “Château Smith-Haut- Lafitte” një pronë që prodhon rrush vere organike në Martillac, në jug të Bordosë.

Kultivuesit e rrushit i rregulluan praktikat e tyre mes një sërë valësh të të nxehtit, të kombinuara me mungesën e shiut, që goditi pjesën më të madhe të Evropës. Në rajonin e Bordosë në Francën jugperëndimore, zjarret gjigante shkatërruan zona të mëdha pyjesh me pisha. Nuk ra shi nga fundi i qershorit deri në mes të gushtit.

Ndërsa të vjelat filluan, dhjetëra punëtorë në gjunjë në vreshta vjelin me dorë rrushin për ta futur në shporta. Fruti shtypet menjëherë për t’u bërë lëng, i cili futet në rezervuarë, pastaj nëpër fuçi për të filluar procesin e prodhimit të verës.

Vjelja synon të prodhojë verën e bardhë nga marka e famshme Pessac-Léognan. Së shpejti do të vijë edhe vera e kuqe.

Eric Perrin, një nga pronarët e pronës Château Carbonnieux, kujton se gjatë fëmijërisë së tij, në vitet 1970, të korrat filluan rreth mesit të shtatorit. Këtë vit, ato filluan më 16 gusht.

Por viti 2022 mund të jetë më i mirë se kurrë, tha Perrin, sepse rrushi është i shëndetshëm dhe i balancuar mirë. Moti i nxehtë dhe i thatë parandaloi gjithashtu që mbi hardhitë të binin sëmundje të tilla si myku.