Gjeopolitika e BE, Rama kritikon drejtuesit e BE: Europa nuk po ndryshon

Në një forum me temë ‘Zgjimin gjeopolitik të Europës’, të mbajtur në Austri, Edi Rama nuk e kurseu skepticizmin ndaj drejtuesve politikë të Bashkimit Europian. Edhe sanksionet që pasuan sulmin rus në Ukrainë, Rama nuk i sheh si veprime proaktive.

‘Nuk e shoh Europën të ndryshojë në asnjë lloj mënyre. Çështja është se si vetë Europa po ndryshon dhe nuk duket sikur po ndryshon në asnjë farë mënyrë.

Është më së tepërmi një lloj inercie midis një lufte ku nga njëra anë janë rusët, nga ana tjetër është Ukraina dhe amerikanët që po japin një mbështetje shumë të madhe dhe Europa që po bashkohet me këtë mbështetje aq sa mundet çdo vend, por nuk është diçka e tillë si Europa, këtu ka vende të ndryshme me një qëndrim të përbashkët, që në rregull, është një qëndrim në parim, por në fund të fundit nuk duket sikur janë të gjitha premisat për të qenë tejet optimist’, tha Rama.

Mungesën e një vizioni unifikues të Unionit, Rama e sheh si kërcënim për ndikimin lindor në Ballkanin Perëndimor. Pjesëmarrësve u rikujtoi çfarë ndodhi me vaksinat në fillimin e pandemisë COVID-19.

‘Ajo çfarë po përpiqesha t’ju thosha është se kemi një pandemi dhe gjithkush po kërkon vaksina. Jemi në mes të Europës, me shumë lidhje, me të gjithë televizionet gjithkund, çdo familje që ka njerëz në Itali, në Greqi, Gjermani e të tjera, këta njerëz mblidhen në Bruksel, shpërndajnë vaksina dhe nuk e vrasin mendjen, për ta thënë butë, për këto 6 vende në mes të Europës. E pa gjejeni pastaj. Na duhet të vrapojmë drejt Kinës, Rusisë dhe Turqisë. Pa Presidentin e Turqisë nuk do të kishim pasur vaksinat’, shtoi Rama.