‘Tenderët sekretë u rritën me 18 herë’, Berisha: Shteti është kthyer në një makineri vjedhjeje

Nga Dibra, Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i ka bërë thirrje kompanisë amerikane që ka firmosur kontratën për të ndërtuar HEC-in e Skavicës që të tërhiqet nga projekti.

Sipas liderit të opozitës, projekti për ndërtimin e HEC-it parashikon përmbytjen e 6 mijë hektarëve tokë bujqësore dhe zhvendosjen e afro 40 fshatrave. Kjo, sipas tij, është politikë antisociale dhe antikombëtare. “Të ngrihesh sot me mendjen e Enver Hoxhës, dhe që kishte vendosur t’i merrte 40 fshatrat e Luginës së Drinit dhe t’i çonte në Hoxharë, por atje nuk i doli toka tamam, dhe të thuash se po ndërtoj dhe përmbyt, për Dibrën dhe Shqipërinë hyn në histori një nga kriminelët më të mëdhenj të historisë. Mirë Enver Hoxha, se ai ishte ai që ishte, por si ka mundësi ti Edi Rama, të ndjekësh pikë për pikë projektin e tij. Si ka mundësi të firmosësh për të përmbytur mbi 6 mija hektarë tokë buke, për të shpërngulur 40 fshatra.

I bëj thirrje edhe kompanisë ‘Bechtel’, i them se mbetem mirënjohës përjetë për Rrugën e Kombit, por i kërkoj të rishqyrtojë dhe të tërhiqet nga projekti, ky është një projekt absolutisht çnjerëzor në rrafshin social, është një projekt antikombëtar. Mos u mashtroni nga Edi Rama, ne do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur Dibrën, të shkuarën dhe të ardhmen e saj”, tha Berisha, teksa përmendi mundësi alternative për të zëvendësuar prodhimin e energjisë. Lideri demokrat kërkoi që takimi i djeshëm me dibranët të shërbente si besëlidhje për të mos lejuar ndërtimin e veprës. “Shqipëria sot ka një nga gazsjellësit më të fuqishëm në Europë. Shqipëria me kontratë, nëse do të ndërtojë TEC, mund të marrë 700 milionë metër kub gaz. Shqipëria është vendi më me diell, mund të ndërtojë panele diellore kudo. Jo, tani duhet të përmbytim Dibrën, jo Dibrën nuk do ta përmbytim. Iu bëj thirrje dibranëve kudo që janë, të mbrojmë Luginën e Drinit dhe të mos lejojmë ndërtimin e Skavicës, nuk mund të zhduket Dibra. Dibrën nuk e zhdukën dot pushtuesit më të egër që e lakmuan aq shumë, vjen tani Edi Rama dhe do të na e zhdukë me një projekt të Enver Hoxhës. Thirrja ime është edhe për socialistët dibranë, për çdo shqiptar, të shpëtojmë Dibrën”, tha Berisha.

Tenderat sekretë

Në bashkëbisedim me banorët e Dibrës, ish-Kryeministri Sali Berisha u ndal edhe tek abuzimi me tenderat. Sipas tij, korrupsioni i lartë në qeveri ka fryrë tej mase çmimet për ndërtim të veprave publike në Shqipëri. Sipas tij, ndërtimi i një rruge në fushë, pa vepra madhore, në Shqipëri kushton 30 milionë euro për kilometër, ndërsa për zgjerime rrugësh, kushton deri në 24 milionë euro kilometri. “Shteti është shndërruar në një makineri të tmerrshme të vjedhjes së qytetarëve. A mundet që një Kryeministër të firmosë 420 mln euro për djegësit dhe të mos ketë sot asnjë djegës në punë dhe si përgjigjet: Po, ashtu firmos unë fët e fët. Po ato janë qindra-miliarda të këtyre njerëzve. Ti di çfarë firmos, por ti vjedh. Prandaj ikin shqiptarët.

Tenderat sekretë janë rritur me 18 herë. Këto bëhen shumë rrallë. Këta e kanë bërë ligj tenderin sekret. Vjedhin në mënyrë të tmerrshme me pasurinë publike. Merr 1 mln metër katror në portin e Durrësit dhe thotë do të ndërtoj Dubain me paratë e drogës. Të njëjtën gjë bën edhe me Butrintin. Vendi është në rrezik. Ne këtë nuk e shpikim”, tha Berisha.

Protestat

Pasi përmendi të gjitha abuzimet që bëhen, sipas tij, nga kjo maxhorancë, Berisha e konsideron pushtetin e Kryeministrit Rama të paligjshëm ndaj paralajmëroi protesta të fuqishme në muajt që vijnë. “Çfarë arritëm në këtë vit, arritëm një gjë, jemi në këmbë dhe të vërtetë. Vendimet i marrim në përputhje të plotë me interesat tona publike e kombëtare. Sot Shqipëria ka një opozitë të vërtetë. Jemi përgjegjës për të ofruar zgjidhje, arritëm të bashkohemi me grupet, organizatat, individët e kauzave, sepse u vendos një perde, mos ta politizojmë. Vritet tjetri në derë të shtëpisë, e vrau Policia në derë të shtëpisë, te pragu i derës. Mori fund kjo.

Po qe kauzë e drejtë, do ta mbështesim me gjithë potencialin tonë. Mirëpres me padurim bashkëpunimin me sindikatat. Të gjejmë format e bashkëpunimit. Rama është një makineri që grabit qytetarët. Kemi një betejë të madhe përpara, beteja është t’i themi Edi Ramës: Boll vodhe, ik! Dhe ajo bëhet siç e thatë vetë këtu me protesta të fuqishme. Pushteti i tij është i paligjshëm; pushteti i tij ka ardhur nga droga, krimi dhe patronazhistët; ka ardhur nga shteti elektoral si në diktaturë”, tha Berisha.