Rënia e Abazoviqit, sulmet kibernetike godasin Malin e Zi, autoritetet marrin vendimin urgjent

Infrastruktura informatike e Qeverisë së Malit të Zi është vënë në shënjestër të një sulmi kibernetik, më i sofistikuari deri më tani. Lidhur me këtë situatë ka reaguar qeveria malazeze teksa u shpreh se ekspertë të Ministrisë së Administratës Publike po punojnë për përcaktimin e dëmit.

“Të dhënat paraprake tregojnë se këto janë sulmet më të sofistikuara që kanë ndodhur deri më tani në Mal të Zi dhe se ato përbëhen nga një kombinim i disa metodave të ndryshme të sulmeve kibernetike”, thuhet në njoftim.

Tani për tani është konfirmuar se zbulimi i hershëm i sulmit ka mundësuar që sistemet kyçe të mbeten të mbrojtura, por shkalla e dëmtimit është duke u përcaktuar, pas së cilës do të jepen informacione më të sakta.

Shtohet se portali zyrtar qeveritar u mbyll përkohësisht, pra i izoluar, për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës qeveritare.

“Qytetarët mund të përdorin me siguri shërbimet qeveritare që janë në funksion,” tha qeveria.“Po, infrastruktura e Qeverisë është shënjestër e sulmeve kibernetike. Në këtë moment mund të konfirmojmë se këto janë sulmet më të sofistikuara në Mal të Zi dhe se ato karakterizohen nga një kombinim i disa metodave të sulmit. Sulmet kanë për qëllim enkriptimin e të dhënave, të ashtuquajturin ransomware”, tha drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për Administratën Elektronike dhe Sigurinë e Informacionit. CdM shkruan se sulmi vjen dy ditë pasi Kuvendi votoi mosbesimin ndaj qeverisë së Dritan Abazoviqit.

Një situatë e ngjashme ka ndodhur pas rënies së qeverisë së Zdravko Krivokapiçit.