VIDEO – SYRI TV/ Fermerët e nektarinës drejt falimentimit, vëllezërit Troka: Nuk kemi treg, shteti nuk na mbështet

Braktisja e bujqësisë po ndodh çdo ditë. Rasti i fundit është i vëllezërve Troka në fshatin Adë të Fierit, të cilët do të presin 2.5 hektarë me pemë nektarine dhe do të largohen në emigracion. Fermerët tregojnë se kanë falimentuar për shkak të mungesës së mbështetjes së shtetit dhe gjetjes së tregut për shitjen e prodhimit.

Syri Tv

Vëllezërit Troka në fshatin Adë të Fierit, nisën disa vite më parë të kultivonin disa hektarë me nektarinë. Pemtorja e tyre është model, por ajo duket se nuk do të ekzistojë më pas vjeshtës së këtij viti, pasi siç tregojnë vëllezërit Troka, mungesa e tregut për shitjen e prodhimit dhe mbështetja e shtetit me subvencione, po i detyron të presin pemët dhe të largohen jashtë vendit.

Fermerët thonë se ky është viti më i vështirë për shitjen e prodhimit. Në pikat e shtijes nuk ka kërkesë për nektarinën, ndërsa fruti kërkohet me çmim të ulët.

Në këto kushte, këta fermerë tregojnë se janë të detyruar të braktisin bujqësinë, ndërsa janë duke u përgatitur për tu rikthyer në emigracion.